Komuna e Prishtinës ka paralajmëruar se shumë shpejt rruga “Agim Ramadani” do të mbyllet për qarkullim, për të nisur punimet për ndërtimin e tunelit, projekt ky që do të kushtojë 5.8 milionë euro.
Procedurat e këtij projekti janë shtyrë përpara megjithëse komuna nuk ka leje pëlqimi nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për projektin në tërësi.
Qershorin e kaluar, IKMM për KOHËN pati thënë se ky projekt mund të ndikojë negativisht në asetet e trashëgimisë kulturore.
“Kërkesa e pranuar nga Komuna e Prishtinës: ‘Kërkesë për pëlqim rreth projektit të nënkalimit në rrugën “Agim Ramadani”’, si e tillë nuk aprovohet, pasi kjo zgjidhje ndikon në ndryshimin e gjendjes urbane të bërthamës së Qendrës Historike të Prishtinës, ku ka ndikime negative në asetet e trashëgimisë kulturore si dhe duke kontribuar në zhdukjen e gjurmëve të trashëgimisë aerologjikë dhe arkitektonike të zhvillimit të qytetit të Prishtinës (që nga parahistoria deri më tani)”, pati thënë IKMM-ja.
Ky vendim i IKMM-së vazhdon të mbetet në fuqi.
Megjithatë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, javën e kaluar gjatë vizitës së tij në Prekaz, insistoi se i kanë kaluar të gjitha procedurat ligjore.
“Tash i kemi procesuar se të gjitha ato bllokada ligjore kanë kaluar dhe nuk ka asnjë arsye të mos vazhdojmë me këtë proces. Arsyet kanë qenë te kota se kinse mund të gjejmë diçka parahistorike e unë mendoj që mirë është të gjejmë diçka parahistorike”, ka thënë ai.
Në këtë mënyrë Komuna e Prishtinës ka shtyrë përpara të gjitha procedurat dhe paralajmëron se shumë shpejt do të bëhet edhe nënshkrimi i kontratës dhe fillimi i punimeve vetëm në pjesën kah rruga “Agim Ramadani”.
“Nënkalimi ‘Agim Ramadani” është një prej projekteve kryesore madhore të Qeverisjes Rama. Vlen të theksohet se është projekt që rrjedh nga plani i mobilitetit. Nuk është projekt i ri, por të cilin e kemi avancuar në kuptimin e projektimit dhe përfundimit të procedurave të prokurimit, përgatitjeve finale dhe tashmë ka mbetur vetëm një nënshkrim formal i kontratës dhe fillimi i punimeve për të cilat shpresojmë se shumë shpejt do të ndodhin”, ka thënë zëdhënësi Donat Lushaku. “Ka pasur ballafaqim institucionesh. Është krejtësisht normale. Në kuptimin e kërkesave nga institucioni në fjalë që të ketë ndryshim të projektit, por ideja është që të fillohet me pjesën që jemi gati dhe sa i përket pjesës tjetër të koordinohemi me institucionet gjegjëse, sepse fundja jemi duke jetuar në një vend, në një qytet, në një shtet dhe këto pengesat administrative që po i kemi si në raportin ministri me komunë apo komuna me ministri janë krejtësisht të paarsyeshme dhe po shpresojmë të gjendjet një rrugëzgjidhje për këtë pjesë”.
Përderisa punimet do të vazhdojnë në këtë rrugë, zëdhënësi i Komunës Donat Lushaku ka thënë se do të mundohen të zgjidhin problemin për lejen të cilën nuk e kanë.
“Do të jetë problematike. Ne vetëm se i kemi filluar procedurat dhe shumë shpejt do të njoftojmë qytetarët edhe për lëvizjet që do të ndodhin me rastin e punimeve. Kjo do të jetë problematike. Do të ulemi dhe do të mundohemi të gjejmë një zgjidhje për pjesën tjetër të qytetit. Nuk kemi mundur ta anulojmë për shkak se veçse i patëm filluar procedurat”, ka thënë ai.
Sipas projektit, nën rrugën “Agim Ramadani” parashihet të ndërtohet një tunel për vetura. E mbi të, Komuna e Prishtinës ka paraparë ndërtimin e një sheshi të ri, i cili do të lidhë sheshin “Ibrahim Rugova” me pjesën e vjetër të qytetit.
Në këtë mënyrë edhe në rrugën “Ibrahim Lutfiu” që shpie kah gjimnazi “Sami Frashëri” do të bëhet një nënkalim.
Me nisjen e këtyre punimeve do të bllokohen dy rrugë që konsiderohen si arterie kryesore të Prishtinës, pa iu gjetur një zgjidhje qarkullimi lagjeve “Tasligje” e “Sofali”.
Asamblisti i VV-së, Besart Krasniqi, ka thënë se Komuna e Prishtinës nuk duhet të marrë hapa pa u konsultuar mirë me institucionet përkatëse.
“Ministria e Kulturës dhe Sportit ia kanë refuzuar lejen se është zonë e mbrojtur e Trashëgimisë Kulturore. Komuna e Prishtinës nuk duhet të marrë hapa pa u konsultuar me institucionet përkatëse”, ka thënë ai.
Sheshi i ri pritet të emërtohet me emrin e heroit legjendar të Kosovës “Adem Jashari”, në të cilin është paraparë edhe vendosja e shtatores së tij.