Komuna e Prishtinës ka cilësuar si “alarm të panevojshëm” njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) lidhur me cilësinë e ujit në Pishinën e Gërmisë.
Në një komunikatë për media, Komuna ka theksuar se rezultatet përfundimtare të analizave të mostrave do të publikohen më 25 korrik, siç është njoftuar nga IKSHPK. Sipas Komunës, çdo deklaratë para kësaj date mund të krijojë konfuzion dhe rrezikon të dezinformojë publikun.
“Kryeqyteti njofton opinionin publik se Ndërmarrja Publike Lokale ‘Sportmarketing’, me vetiniciativë, ka inicuar nënshkrimin e një marrëveshjeje me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), me qëllim të marrjes dhe analizimit të mostrave të ujit, si dhe monitorimit javor të cilësisë së tij në Pishinën e Gërmisë,”, thuhet në komunikatën e Komunës.
“Kryeqyteti apelon për maturi dhe përgjegjësi në komunikimet publike, duke riafirmuar angazhimin për transparencë të plotë dhe bashkëpunim të ngushtë me institucionet përkatëse. Qytetarët do të informohen pa vonesë sapo të publikohen rezultatet zyrtare.”, thuhet tutje në njoftim.