Kosova ka dorëzuar zyrtarisht këtë të enjte aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Kërkesa e Kosovës ka nisur të procedohet në Këshillin e Evropës, këtë për Klankosova.tv e konfirmoi zëdhënësi i kësaj organizate, Daniel Holgten.
Holgten thotë se aplikimi është pranuar dhe i njëjti po i dërgohet Komitetit të Ministrave.
“Ne mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është pranuar dhe po i transmetohet Komitetit të Ministrave në përputhje me statutin e Këshillit të Evropës”, tha ai.
Kujtojmë se pas miratimit nga Qeveria e Kosovës për nismën për anëtarësim, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, e dorëzoi vetë personalisht aplikimin.
Gërvalla në një adresim nga Strasburgu i Francës tha se sot nis një kapitull i ri i Kosovës.
“Sapo dolëm nga takimi me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Në emër të Republikës së Kosovës dorëzuam kërkesën për anëtarësim në Këshill të Evropës”.
“Sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës, sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, të Asamblesë Paralementare dhe Këshillit Ministrorë”.
Gërvalla, mes tjerash, thotë se kjo nisëm e sotme do të përfundojë me anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës, pasi Kosova e meriton të jetë pjesë e kësaj organizate.