Glauk Konjufca nuk ka arritur t’i marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë kryeministër i Kosovës dhe për ta bërë kabinetin qeveritar.
Pro votuan 56 deputetë, 4 abstenuan dhe 53 ishin kundër.
Me dështimin e dytë për ta krijuar qeverinë hapet rruga për zgjedhje të reja parlamentare.
Konjufca ua kërkon besimin deputetëve: Të udhëheqim me guxim, edhe në shtigjet e pashkelura
Mandatari për kryeministër të Kosovës, Glauk Konjufca ka bërë një lutje para të zgjedhurve të popullit që ta votojnë atë, duke thënë se sot duhet zgjedhur rruga ndoshta e komplikuar në dukje, por që sipas tij e drejtë.
Ai, deputetëve ua kërkoi edhe besimin, transmeton Klankosova.tv.
“Sot ia vlen të zgjedhim rrugën, në dukje të komplikuar ndoshta, por ne nuk kemi nga askush tjetër këtu jashtë nesh, jashtë këtij parlamenti, që ta presim drejtësinë e veprimeve tona. Atë e bëjmë vet ne. Të udhëheqim me guxim, edhe në shtigje të pashkelura më herët. Burimi i këtij guximi duhet të na karakterizojë të gjithëve sot, e kjo është besimi te qytetarët tanë, dhe obligimi që kemi ndaj sakrificave e kontributit të paraardhësve, e jo më pak edhe ndaj ëndrrave e dëshirave të pasardhësve tanë”, u shpreh Konjufca.
Kabineti i propozuar nga Konjufca: Kurti kryediplomat, Basha zëvendësohet me Bislimin
Mandatari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka prezantuar kabinetin qeveritar, që duhet të sigurojë të paktën 61 vota në Kuvendin me 120 deputetë për t’u miratuar, raporton Klankosova.tv
Ky është kabineti i propozuar:
Zëvendëskryeministër i parë dhe Ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Albin Kurti
Zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Drejtësisë, Donika Gërvalla
Zëvendëskryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim ekonomik, Fikrim Damka
Ministër i Financave dhe Ekonomisë, Hekuran Murati
Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale, Andin Hoti
Ministër i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci
Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla
Ministër i Administratës Publike dhe Digjitalizimit, Lulëzon Jagxhiu
Ministër i Shëndetësisë, Arben Vitia
Ministër i Arsimit dhe Shkencës, Avni Zogiani
Ministër i Kulturës dhe Turizmit, Fatmir Spahiu
Ministër i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani
Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal, Rasim Demiri
Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli
Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja
Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit, Besnik Bislimi
Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane, Mimoza Kusari
Ministre e Energjisë dhe Minierave, Artane Rizvanolli
Ministër për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq
Ministër për Zhvillim Rajonal, Sejnur Veshall
A do bëhet kryeministër? Konjufca nis fjalimin: Ta kursejmë Kosovën nga dy palë zgjedhje
Mandatari për kryeministër, Glauk Konjufca ka nisur fjalimin në seancën e thirrur për ta votuar atë.
“Në spektrin tonë politik, vështirë që do të arrijmë edhe një konsensus për zgjedhjen e presidentit në muajin mars. Përmes qeverisë sot, synojmë disa gjëra. Ta kursejmë Kosovën nga dy palë zgjedhje, do të ishte arrogancë ta çonim vendin tonë sërish në zgjedhje”.
“Çështje që qeveria jonë do t’i trajtojë janë, buxheti, plani i rritjes, ekzekutimi i pagave të punëtorëve të RTK-së dhe miratimi i buxhetit për Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok”, tha ai, njofton Klankosova.tv.
“VV ka bërë një lojë të paskrupullt dhe tërësisht elektorale”, thotë Limaj
Kreu i NISMA-s, Fatmir Limaj thotë se situata aktuale politike, është fatkeqësi për shtetin e Kosovës.
Limaj tha Lëvizja Vetëvendosje po tregon hipokrizi kur bën thirrje në emër të interesit nacional, pasi sipas tij, janë po ata që kanë bllokuar vendin tash e 8 muaj, transmeton Klankosova.tv.
“Sot është fatkeqësi, një gjë nuk është dashur t’i ndodhte demokracisë dhe shtetit të Kosovës. Kjo është një tallje”.
“Me pas për një mend shqetësimin e qytetarëve, e atyre që rrezikojnë të mos i marrin pagat, dhe funksionimin e mirëfilltë të shtetit, partitë politike tash e 8 muaj do të ishin mbledhur dhe do e kishin bërë edhe një buxhet me konsensus edhe një qeveri me konsensus të përkohshme, dhe nuk do të kishin keqtrajtuar e malltretuar qytetarët. Kështu të gjithë ata që bëjnë thirrje, gjoja në emër të asaj të interesit nacional, ka hipokrizi të madhe”, u shpreh Limaj.
Haxhiu lutje ish-opozitës, jep indikacion se do ta tentojnë votimin e buxhetit para Qeverisë
Nënkryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, u ka bërë lutje partive ish opozitare që ta votojnë buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare, si dhe mandatarin për Qeverinë e re, Glauk Konjufca.
Kështu, ajo tha indikacion se do ta tentojnë votimin e buxhetit para seancës për Qeverinë e re, transmeton Klankosova.tv
“Nuk kanë pasur vullnet për të tejkaluar situatat me të cilat jemi përballur. Buxheti nuk është buxheti i kryeministrit Kurti. Sot u bëj lutje që të kenë qasje pozitive, ta mendojnë interesin e shtetit dhe të jenë në seancë për të votuar dokumente shumë të rëndësishme, por në anën tjetër pas pak minutave e kemi edhe votimin e mandatarir.
Konjufca është i dyti më i votuari në Republikën e Kosovës. Sot është momenti që t’i japin mbështetje zotit Konjufca. Nuk kemi pse shkojmë në dy palë zgjedhje në një kohë të shkurtër. Kryetari i Kuvendit nuk e mbylli seancën por e ndërpreu, nëse ka ndonjë reflektim” , tha Haxhiu. /Klankosova.tv
A do bëhet kryeministër? Konjufca nis fjalimin: Ta kursejmë Kosovën nga dy palë zgjedhje
Mandatari për kryeministër, Glauk Konjufca ka nisur fjalimin në seancën e thirrur për ta votuar atë.
“S’kemi votë për VV-në”, Musliu: Kurti herë legal, herë ilegal – uzurpues e shkatërrues
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu u ka bërë thirrje qytetarëve që së bashku, të ngriten dhe t’i dërgojnë në shtëpi, siç i quan ajo deputetët e VV-së, uzurpuesit e shtetit.
Pos tjerash, ajo tha se Partia Demokratike e Kosovës nuk ka votë për qeverinë e re, me mandatar Glauk Konjufcën, transmeton Klankosova.tv.
“Qëndrimi im dhe i partisë tashmë dihet, ne jemi kundër. Kundër duhet të jeni edhe ju, kundër duhet të jenë edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, dhe të gjithë bashkë, njëzëri t’i çojmë në shtëpi këta shkatërrues, e këto banda që e kanë uzurpuar shtetin e Kosovës”, u shpreh Musliu.
Ajo shtoi se VV-ja do të jetë në opozitë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Ky vend do ta shohë dritën përsëri, pa hije të zeza të Vetëvendosjes”.
“S’është qëndrim politik”, Gruda tregon pse mori pjesë në seancën e buxhetit
Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda ka folur para seancës së sotme ku do të hidhet në votim ekzekutiviti.
Ai tregoi se pse shkoi në seancën që u mbajt nga ora 11:00, e cila ishte për buxhetin.
“Unë shkova për me treguar qëndrimin e PDK-së, nuk është qëndrim politik, është qëndrim i bazuar në Kushtetutë dhe ligj. PDK-ja ma dha besimin me përfaqësuar për arsye se jam jurist”, tha Gruda.
“Është e rëndësishme me kuptuar se edhe pushteti e di që është jokushtetues”, shtoi ai, njofton Klankosova.tv.
Haradinaj: S’kemi votë për Qeverinë e re – Konjufca t’iu kërkojë falje qytetarëve
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka deklaruar se partia e tij nuk ka votë për Qeverinë Konjufca.
Në një deklarim për media, pak para nisjes së seancës për formimin e qeverisë së re, Haradinaj tha se mandatari Glauk Konjufca duhet të iu kërkojë falje qytetarëve, pasi sipas tij, ai ua humbi edhe dy javë kohë, transmeton Klankosova.tv.
“Aleanca është shumë e qëndrueshme në vendimet e veta. Çdo deklarim i yni më përpara ka qenë i Aleancës dhe jo vetëm i individëve. Është vendim i Aleancës që votojmë kundër këtij mandatari, i cili nuk është shumë i qëndrueshëm sepse nuk i ka paraqitur nënshkrimet. Mendoj që zotëri Konjufca duhet të iu kërkojë falje qytetarëve, sepse i ka vonuar edhe dy javë”, tha ai.
Lushtaku e ripërsërit: PDK s’ka votë për Konjufcën – të hapet rruga për zgjedhje
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku e ka ritheksuar se kjo parti nuk ka votë për Glauk Konjufcën dhe partinë në të cilën ai bën pjesë.
Para mediave, Lushtaku tha se tash është koha që qytetari ta ketë shansin për ta ndryshuar gjendjen në të cilën është Kosova.
Sipas tij, ajo që po bën VV-ja është katrahurë dhe viktimizim.
“Realisht kjo pyetje u bë çdo ditë, kemi dhënë qëndrimin tonë, nuk kemi votë për Konjufcën dhe asnjë votë për VV-në dhe kësaj katrahure dhe këtij viktimizimi , është koha që qytetari ta ketë shansin për ta ndryshuar këtë vend. Nuk di që i kanë kontaktuar deputetë të caktuar, ka pasur shoqëri të rrethit të VV-së dhe kërkesën për me votuar, por ne nuk e votojmë”.
“Pas dështimit të Konjufcës, nuk mbeti alternativë tjetër përveç të hapen rrugët për zgjedhjet, presim sa më parë të ketë datë”, u shpreh deputeti, njofton Klankosova.tv.
“Ta shohim aty”, deputeti i VV-së pyetet a i kanë siguruar votat për ‘Qeverinë Konjufca’
Pak minuta para se të nis seanca për Qeverinë e re, ashtu siç është thirrur nga Kuvendi i Kosovës, nuk ka asnjë deklaratë nga partia e Albin Kurtit, nëse i kanë votat për Qeverinë Konjufca.
Deputeti i Vetëvendosjes, Valon Hoti, para se të futej në ndërtesën e Parlamentit, nuk pati përgjigje, përveç që tha se “e shohim” në seancë për këtë çështje.
“E shohim aty, e kemi ftuar seancën, po shkojmë aty. Ta shohim”, tha Hoti për gazetaren e Klan Kosovës, Qëndresa Bellagoshi./Klankosova.tv
Kreu i LDK-së: LVV nuk i ka numrat për Qeverinë e re
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka përsëritur edhe një herë se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat për formimin e Qeverisë së re.
Abdixhiku thotë se VV-ja vetëm shfrytëzoi 15 ditë për një qëllim, që sipas tij është për shfaqje teatrale.
“Sot, LDK-ja nuk pret asgjë, përveç faktit të konfirmimit që janë humbur 15 ditë, duke e ditur dhe pritur rezultatin e njëjtë. Pra, Lëvizja Vetëvendosje e ka ditur që nuk i ka numrat, e ka ditur që e kemi një krizë, e kemi paralajmëruar që kemi një krizë, dhe sërish kanë vendosur që të na i shfrytëzojnë 15 ditë”, tha Abdixhiku.
“Gjithë ky shpenzim kohe është bërë për një qëllim, për shfaqje teatrale. Dhe nëpërmjet një shfaqje teatrale të tillë me disa kundërshtarë imagjinarë, përgatitën material për fushatë elektorale”, tha ai.
























