Zëvendëskryeministri dhe Kryediplomati i Kosovës, Glauk Konjufca, ka arritur në Hagë, ku nesër do të marrë pjesë në seancën gjyqësore ku do të paraqiten fjalët përfundimtare në rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka mbajtur sonte edhe një fjalim, në pritjen e Ambasadës së Kosovës në Holandë për nder të 18-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Gjatë fjalimit të tij, Konjufca ka thënë se askush nuk mund të shkelë mbi UÇK’në.

“Nesër do të marrë pjesë po ashtu edhe në procesin e padrejtë gjyqësor që po bëhet kundër drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ta shprehur po ashtu edhe vullnetin tonë edhe qëndrimin tonë se askush nuk mund të shkelë mbi ushtrinë tonë të lavdishme çlirimtare dhe për t’i treguar gjithë botës së bashku se kjo është vlera më sublime që e ka krijuar shtetin tonë, Kosovën dhe që këtë vlerë e cila është në themel të shtetit tonë do ta mbrojë me çdo kusht dhe me çdo çmim”, ka deklaruar Konjufca.

Ai tha se ish-krerët e UÇK’së po gjykohen padrejtësisht.

“Ata familjarë, të afërm të drejtuesve tanë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët padrejtësisht po gjykohen këtu në Hagë, më vjen mirë që jemi sot bashkë këtu edhe po e shënojmë përvjetorin e pavarësisë së shtetit tonë, është një datë që na forcon dhe një datë që na nderon secilin prej nesh, prandaj festofshim gjithmonë bashkë”, ka thënë Konjufca.

Ndryshe, sot në Kosovë është mbajtur marshit në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po gjykohen në Hagë.

Related Posts