Gazetari Lirim Mehmetaj ka publikuar një video me dokumente që, sipas tij, zbulojnë një nga kontratat më të dyshimta të nënshkruara nga një institucion publik në Kosovën e pasluftës. Në qendër të skandalit qëndron Ministria e Bujqësisë, e udhëhequr nga Faton Peci, dhe një kompani private e cila ka përfituar me kushte tepër të favorshme pas një thirrjeje publike të shpallur nga vetë ministria.

Sipas Mehmetajt, kompania është krijuar posaçërisht për këtë projekt dhe ka nënshkruar një kontratë 20-vjeçare për përdorimin e një prone shtetërore me qira vetëm 30 mijë euro në vit, ndërkohë që përfiton subvencione 3.2 milionë euro çdo vit nga shteti. Vetëm nga këto subvencione, dëmi i mundshëm për buxhetin e Kosovës mund të kalojë 60 milionë euro për një periudhë 20-vjeçare.

Skandalet nuk ndalen me kaq. Vendimi për dhënien e tokës është në kundërshtim me ligjin, i cili lejon maksimumi 15 vite qira. Për më tepër, rreth 4 hektarë tokë shtesë janë dhënë falas. Nënshkrimi i kontratës është bërë nga një individ që nuk figuron fare si përfaqësues i ligjshëm i kompanisë.

Një pikë tjetër alarmante është klauzola që i garanton kompanisë të drejtën të kërkojë kompensim për fitimin e supozuar për 20 vjet, në rast se kontrata prishet një dëm që, në rast realizimi, mund të shkojë në qindra miliona euro.

Mehmetaj e quan këtë marrëveshje si një monopol të ndërtuar në mënyrë të paligjshme, me favorizim të plotë ndaj një kompanie të vetme dhe përjashtim të çdo konkurrence.

Rasti është dorëzuar në Policinë e Kosovës, konkretisht në sektorin e Krimeve Ekonomike. Sipas gazetarit, prokuror i çështjes është Kujtim Munishi, i cili tani mban barrën për të çuar hetimin përpara.

Deri në momentin e publikimit, nuk ka pasur asnjë reagim nga Ministria e Bujqësisë apo nga vetë ministri Faton Peci lidhur me këto akuza.

https://www.facebook.com/watch/?mibextid=wwXIfr&v=1027935068808335&rdid=i8ioyTvlhNfZyZib

Related Posts