Zëvendësministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Liza Gashi, gjatë vizitës zyrtare në Paris, ka zhvilluar një takim me ministren e deleguar pranë Ministrit francez për Evropën dhe Punët e Jashtme. Éléonore Caroit, e cila është përgjegjëse për Frankofoninë, Partneritetet Ndërkombëtare dhe Shtetasit francezë që jetojnë jashtë vendit.

Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe bashkëpunuese, duke reflektuar marrëdhëniet e ngushta dhe të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Francës, njofton zyra për informim e MPJD-së.

Në qendër të diskutimeve ishte thellimi i bashkëpunimit dypalësh, përfshirë angazhimin e Kosovës në kuadër të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, bashkëpunimin në fushat e arsimit, kulturës dhe sportit, si dhe mbështetjen e Francës në organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Bëhet e ditur se zëvendësministrja Gashi vlerësoi lartë mbështetjen e Francës për Kosovën, duke e cilësuar atë si një mike dhe partnere të qëndrueshme të vendit tonë. Ajo gjithashtu shprehu mirënjohje për angazhimin e Francës në promovimin e diplomacisë feministe dhe përfshirjen e grave në proceset vendimmarrëse ndërkombëtare, duke theksuar përkushtimin e Kosovës për të kontribuar në hapësirën frankofone dhe kulturore.

Palët u pajtuan të intensifikojnë bashkëpunimin në fushën e Frankofonisë, zhvillimit dhe diplomacisë kulturore, në frymën e miqësisë dhe vlerave të përbashkëta evropiane.

Gjatë takimit, zëvendësministrja Gashi u shoqërua nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Mehdi Halimi.

Related Posts