Që prej fillimit të luftës në Ukrainë, Kosova është pozicionuar zëshëm pro saj, për t’u solidarizuar pas sulmit rus por edhe për të vendosur raporte pasi ky shtet tani në telashe të mëdha s’e ka njohur pavarësinë. Mbështetja e plotë e Kosovës e ka lëvizur pak Ukrainën, por jo aq sa t’ia jepte votën pro në Këshill të Evropës. Ukraina dje zhgënjeu shumë edhe Serbinë.
Pas më shumë se një vit përkrahje të parezervë të Kosovës ndaj saj, Ukraina, ka dëshmuar se nuk ka bërë ndonjë hap të madh në raport me vendin që ka nevojë edhe për njohjen e saj.
Ukraina është vend anëtar në Këshill të Evropës dhe sigurisht ka votuar edhe për përjashtimin e Rusisë prej aty kur ajo e sulmoi në mënyrë brutale vitin e kaluar. Por, tash që Kosovës po i hapet rruga për anëtarësim të plotë, Ukrainës nuk I është mbushur mendja ta mbështesë, qoftë edhe për “inat” të Rusisë.
Ukraina ka votuar dje në lidhje me nisjen e procedurave për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës. Vota e saj nuk ka qenë kundër por abstenim.
Në Kosovë ka pasur reagime në rrjetet sociale duke shfaqur paknaqësi me këtë qëndrim të Kiyvit në Strasbourg.
Por as në Serbi s’janë të kënaqur.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se ishte i befasuar për të keq nga zëri i Ukrainës, sepse “Serbia e ka dënuar cenimin e integritetit territorial të këtij shteti në të gjitha rezolutat e botës”, por Kyivi abstenoi.
Mediat në Beograd e kanë cilësuar votimin e djeshëm të Ukrainës dhe të disa shteteve të tjera që s’e njohin pavarësinë e Kosovës si tradhti.
“Ukraina, Armenia dhe Greqia e tradhtuan Serbinë”, thuhet në një prej kryetitujve të gazetave serbe.
Serbia kishte garancë refuzimin e Ukrainës për ta njohur Kosovën si shtet. Pas agresionit rus në territorin ukrainas, Serbia është prej vendeve të vetme të Evropës që nuk e ka sanksionuar aleatin e saj të madh, Rusinë. Kosova, ndërkaq, ka ofruar mbështetje të gjithanshme ndaj Ukrainës njëjtë si shtetet më aleate të saj, duke strehuar edhe gazetarë ukrainas në Prishtinë. Po ashtu ka ofruar t’u bëjë vend edhe 5 mijë refugjatëve.
Dhe, mendohej se Ukraina, do të lexonte qasjen e dy shteteve ballkanike dhe do të zbuste qëndrimin ndaj Kosovës. Por, me atë që u pa dje në KiE, Ukraina ka lëvizur, por jo aq sa ta pranojë Kosovën si shtet.
Në Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës, 33 shtete kanë votuar pro pranimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KiE, shtatë kanë votuar kundër, pesë kanë abstenuar, ndërsa një shtet, Armenia, s’ka votuar fare.
Me këtë hap, Kosova përmbylli fazën e parë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
Pas kësaj, Asambleja Parlamentare do të diskutojë dhe votojë në një takim të radhës për një raport të cilin do ta përgatisë vetë. Raporti mund të shqyrtohet në qershor ose tetor.
Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Europës më 12 maj 2022.