Brenda pak ditësh, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili ka marrë mbi 50 mijë vota në zgjedhjet e nëntë shkurtit si kandidat i Vetëvendosjes, ka bërë dy deklarata të çuditshme. Këto madje, kanë të bëjnë hiç me pak se me KFOR-in e me Francën.

Duke marrë pjesë në një forum ndërkombëtar në Taipei, Maqedonci bëri një deklaratë që më pas do të komentohej shumë e do të shkaktonte shumë reagime.

Nga atje, Maqedonci kishte thënë se Kosova po ndërton fabrikë municioni, ndërsa Franca ende s’e ka një të tillë.

“Kjo administratë në ShBA po përsërit nevojën për më shumë investime në mbrojtje dhe siguri në Evropë. Ndoshta unë vij nga kjo prapavijë. Por unë shoh që Evropa nuk ka bërë shumë për t’i ndërtuar kapacitetet e saj, dhe duke u varur vazhdimisht nga ShBA-ja…Në këtë drejtim, justifikoj kërkesën e administratës Trump për më shumë investime në mbrojtje. Për shembull, Kosova sot po ndërton fabrikën e saj për të prodhuar municion, dhe Franca ende s’e ka këtë”, kishte thënë ai.

Ndërkohë, gjatë kësaj jave, ministri i Mbrojtjes ka deklaruar se Kosova mund t’i bëjë ballë një kërcënimi të mundshëm nga Serbia edhe pa ndihmën e KFOR-it.

Maqedonci kur është pyetur nëse mund t’i bëhet ballë Serbisë pa KFOR-in, fillimisht ka thënë “Patjetër”.

Më pas shtoi se janë përgatitur ushtarët, e madje llogariti edhe në “qytetarë që janë të gatshëm t’iu bashkohen”.

“Patjetër, ne jemi në vendin tonë, ne jemi në tokën tonë, ne po ndërtojmë një ushtri, ne kemi blerë pajisje. Kemi përgatitur ushtarakët tanë, kemi qytetarë të cilët janë me të vërtetë të gatshëm për t’iu bashkangjitur dhe për të mbështetur kapacitetetet tona në çdo rrezik dhe kërcënim. Por, normalisht ne jemi të vetëdijshëm për prezencën e NATO-s në Kosovë dhe do koordinojmë çdo veprim tonin me këtë prezencë deri sa ajo të jetë këtu” – u shpreh ai.

Mes tjerash, gjatë kësaj interviste, Maqedonci tha se nuk kanë informacione zyrtare për tërheqje të mundshme të trupave të NATO-s nga Kosova.

“Ne nuk kemi informacion zyrtar për tërheqje të mundshme të trupave të NATO-s nga Kosova, dhe të asnjë vendi specifik nga KFOR-i. Vazhdojmë të kemi koordinim me KFOR-in”.

Related Posts