Përfaqësuesja e Kosovës ka arritur renditjen më të lartë ndonjëherë në historinë e saj në renditjen e re të FIFA-s, që u përditësua të enjten (18 shtator 2025).
Pas fitores ndaj Suedisë në “Fadil Vokrri” dhe humbjes nga Zvicra në Basel, ndeshje që i zhvilloi këtë muaj për kualifikuese në Botërorin 2026, Kosova është renditur në pozitën e 91, duke u ngjitur tri vende më lartë sesa ishte në ranglistën e fundit (94). “Dardanët” kanë 1262 pikë.
Në grupin ku bën pjesën Kosova, pas dy ndeshjeve, Zvicra ka gjashtë pikë, ndërsa Kosova është e dyta me tri. Suedia e Sllovenia kanë nga një pikë.
Më 10 tetor, Kosova pret Slloveninë në Prishtinë, ndërsa “Fadil Vokrri” pritet të jetë i mbushur pasi për pak orë u shitën të gjitha biletat. Pas tri ditëve, Kosova udhëton në Suedi.