Kombëtarja e Suedisë po kalon ditët e saj më të vështira.
Në grupin e saj, Suedia është më afër të mos prekë Botërorin se sa që të kualifikohet aty, pavarësisht që përmban yje si Gyokeres dhe Isak.
Humbja e fundit nga Kosova në Gotenburg, çoi në shkarkimin e trajnerit, Jon Dahl Tomasson i cili grumbulloi vetëm 1 pikë në këtë cikël kualifikues.
Futbollistja me prejardhje nga Kosova dhe njëkohësisht kapitenja e Suedisë te femrat, Kosovare Asllani kritikoi kombëtarjen e meshkujve pikërisht për ecurinë negative.
“Është një krenari të mbash fanellën e përfaqësueses suedeze. Duhet të tregosh këtë krenari në punën tënde, të luftosh fort në fushë. Futbolli suedez gjithmonë është bazuar në këtë, pavarësisht nëse je yll në klubin tënd apo jo. Kur luan për Suedinë, baza është puna e lufta e fortë, dhe unë mendoj se Suedisë i kanë munguar këto. Fatkeqësisht mungon themeli, por tani do të kenë një fillim të ri”, u shpreh Asllani.
Mirëpo Suedia, e ka edhe një mundësi të fundit pasi që mund të arrijë megjithatë play-offin, shkaku i ngritjes në Ligën B si lidere e grupit C në “Ligën e Kombeve”.


























