Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) ka dalë me një reagim lidhur me deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, dje në Kuvend, ku ka hedhur akuza lidhur me rastin Dehari, raporton Gazeta Sinjali.
Në reagimin e tyre thuhet se këto akuza janë të padrejta, si dhe përbëjnë ndërhyrje e presion direkt në punën e Prokurorisë – duke cenuar pavarësinë e sistemit të drejtësisë.
“Deklaratat e Kryeministrit për raste individuale, duke i interpretuar ato në mënyrën e tij dëshirore, pa i ditur faktet dhe duke e keqinformuar publikun në mënyrë të qëllimshme, lëndojnë ndjenjat e familjarëve të të ndjerëve, përbëjnë ndërhyrje dhe presion të drejtpërdrejtë në punën e Prokurorisë dhe cenojnë rëndë pavarësinë e sistemit të drejtësisë.”
Sipas tyre, qasja e Kurtit ka për qëllim minimin e reputacionit të Prokurorit të Shtetit, duke bërë thirrje që në vend të sulmeve ndaj këtyre institucioneve, kryeministri duhet t’i mbështesë kërkesat buxhetore të sistemit prokurorial.
“Një qasje e tillë e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dëmton funksionimin e institucioneve demokratike dhe ka për qëllim minimin e reputacionit të Prokurorit të Shtetit në përpjekjet institucionale për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës dhe në vend që Kryeministri t’i mbështesë kërkesat buxhetore të sistemit prokurorial, ai zgjedhë rrugën e sulmeve ndaj institucioneve të Prokurorit të Shtetit.”
KPK dhe ZKPSH kanë kërkuar nga Qeveria dhe deputetët e VV-së të jenë të përmbajtur dhe të mos tentojnë që ta sulmojnë sistemin me këto forma.
“Andaj, KPK dhe ZKPSH i bëjnë thirrje Kryeministrit të vendit, anëtarëve të tjerë të kabinetit qeveritar dhe deputetëve të partisë në pushtet që të jenë të përmbajtur, të tregojnë sjellje të përgjegjshme institucionale dhe të mos tentojnë që përmes diskursit dhe retorikës politike ta sulmojnë sistemin prokurorial.”