Ndonëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) miratoi buxhetin për zgjedhjet e 28 dhjetorit me 25 nëntor, megjithatë ende nuk kanë marrë ndonjë njoftim për buxhet nga Ministria e Financave.
Drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala tha se nuk kanë ndonjë njoftim rreth kërkesës që është parashtruar.
“Më 25 nëntor 2025, KQZ ka miratuar planin e buxhetit për zgjedhjet e parakohshme të Kuvendit të Kosovës. Ne menjëherë të nesërmen, përmes kërkesës, përmes arkivit dhe email-it, i kemi dërguar në Ministrinë e Financave. Aktualisht nuk kemi asnjë njoftim lidhur me kërkesën që është parashtruar”, u përgjigj Buzhala në pyetjen që iu adresu nga anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi.
“Mund të na informoni se deri ku ka shkuar çështja e miratimit të buxhetit, sepse pa buxhet nuk mund të zhvilloni asnjë operacion zgjedhor. Kisha dashur me iu pyet a është vonë mosndarja e buxhetit deri në këtë kohë, sa i përket operacioneve zgjedhore?”, pyeti Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së.


























