Pavarësisht shiut dhe motit të ftohtë, mijëra njerëz u mblodhën në sheshin e Shën Pjetrit për të ndjekur meshën e mesnatës në këto Krishtlindje të para të Papa Leonit që nga zgjedhja e tij. Ati i shenjtë doli për të përshëndetur turmën përpara se të fillonte shërbesa.
Në ekranin e madh, Papa Leoni tha se i admironte ata që dolën në këtë mot dhe i falënderoi që ishin aty. Në Bazilikën e Shën Pjetrit ka pasur një atmosferë festive dhe kreu i Vatikanit theksoi se mesazhi i Krishtlindjeve është ai i shpresës.
“Ndërsa njerëzimi kërkon të bëhet ‘zot’ për të dominuar të tjerët, Zoti zgjedh të bëhet njeri për të na çliruar nga çdo formë skllavërie”, ishte mesazhi i Papës në meshë. Ai pritet t’i japë botës mesazhin e tij, Urbi et Orbi, në të cilin pritet të theksojë rëndësinë e paqes dhe dialogut.























