Kompania Rajonale e Menaxhimit të Mbeturinave “Pastrimi” ka shprehur shqetësimin e saj lidhur me hedhjen e papranueshme të mbeturinave inerte në zona të paligjshme, duke theksuar se ky veprim dëmton punën e ekipeve dhe shkel rregulloren komunale për menaxhimin e mbeturinave.
Sipas KRM “Pastrimi”, institucionet përkatëse janë njoftuar dhe pritet që të ndërmerren masa urgjente për të trajtuar këtë situatë.
Kompania apelon që mbeturinat inerte të mos hidhen afër kontejnerëve dhe të respektohet orari dhe lokacioni i caktuar nga Komuna e Prishtinës.
“Kjo mënyrë e hedhjes së mbeturinave është e papranueshme dhe pamundëson punën e ekipeve tona. Ju lutemi, hidhni mbeturinat vetëm në lokacionet dhe oraret e përcaktuara”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
KRM “Pastrimi” rikujton qytetarët për rëndësinë e respektimit të rregulloreve komunale, në mënyrë që të ruhet pastërtia dhe funksionaliteti i sistemit të menaxhimit të mbeturinave.
























