Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu në një konferencë për media ka dhënë detaje lidhur me aksionin e zhvilluar sot për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).

Ai bëri të ditur se hetimet për këtë rast kanë nisur që në mars të vitit 2025, ndërsa aksionit të sotëm i kanë paraprirë një sërë veprimesh hetimore intensive.

“Aksionit të sotëm i kanë paraprirë aksione të shumta dhe me këtë rast jemi ngarkuar që nga marsi i vitit 2025. Duke e pa ndërlikueshmërinë faktike, juridike dhe procedurale si kryeprokuror kam nxjerr vendim dhe t’i angazhojë dy prokurorë që të punojnë intensivisht me këtë çështje. Po flasim për një rast ku ne sot kemi marrë urdhëresa të Gjykatës për bastisjen e shtëpive dhe lokacioneve të 47 personave, në mesin e tyre një person juridik dhe po ashtu këtij aksioni i ka paraprirë edhe aplikimi i masave të veçanta hetimore”, ka thënë ai,

Sipas tij, bëhet fjalë për keqpërdorimet dhe dëmet që janë bërë në Byronë Kosovare të Sigurimeve në vlerë prej mbi 1 milion euro.

“Cak në mesin e hetimeve janë ish drejtori ekzekutiv i BKS-së dhe ish drejtori i departamentit financiarë të hetimeve po ashtu të BKS-së, të cilët duke keqpërdorur autorizimet që iu kanë besuar nga BKS-ja ju kanë mundësuar personave të ndryshëm dhe vetvetes që të barten transaksione të ndryshme ku kanë arritur përfitime të mëdha për vete, duke i shkaktuar dëm të madh BKS-së në vlerë prej 1 milion e 43 mijë euro, po ashtu kanë keqpërdorur autorizimet ekonomike dhe kanë përpiluar dokumente të falsifikuara”, ka thënë Kryeziu.

Related Posts