Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, e ka pritur të mërkurën në kabinetin e tij kapitenin e Kombëtares Shqiptare në futboll, Berat Gjimshiti.

Gjatë këtij takimi, Pajaziti, shprehu mirënjohje për angazhimin dhe përfaqësimin dinjitoz që Gjimshiti i bën flamurit kuqezi, duke e cilësuar atë si shembull frymëzimi për të rinjtë shqiptarë në Luginën e Preshevës e më gjerë, transmeton Klankosova.tv.

Pajaziti i dha një porosi të qartë për mbrojtësin e kombëtarës shqiptare dhe Atalantas:

“Duhet ta mposhtësh Serbinë,” ishte porosia që Pajaziti ia dha Gjimshitit.

Kapiteni i “Kuqezinjve” u përgjigj shkurt: “Me kismet.”

Kërkesa e të parit të Bujanocit, u përsërit edhe një herë pas insistimit të një prej të pranishmëve në sallë, ndërsa kapiteni kuqezi shtoi: “Do Zoti.”

Takimi vjen vetëm pak ditë para përballjes së shumëpritur Shqipëri – Serbi, e cila do të zhvillohet më 7 qershor në “Arenën Kombëtare” në Tiranë, si pjesë e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Kjo ndeshje pritet me interes të jashtëzakonshëm në të gjithë hapësirat shqiptare dhe konsiderohet një nga sfidat më të ndjeshme dhe me peshë të veçantë për Kombëtaren.

Pajaziti e vlerësoi praninë e Gjimshitit në Bujanoc si një mesazh të fuqishëm bashkimi dhe motivimi, duke theksuar se sporti mbetet një urë e rëndësishme për forcimin e identitetit dhe krenarisë kombëtare.

 

Related Posts