Derisa varianti Delta i COVID-19 po përhapet me shpejtësi në Kosovë, kësisoj po rritet edhe numri i rasteve të reja me këtë virus, po shqyrtohet mundësia e vendosjes së kufizimeve për personat e pavaksinuar. Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Express se çdo opsion është i hapur me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit.
Ministria e Shëndetësisë po shqyrton mundësinë e vendosjes së kufizimeve për personat e pavaksinuar kundër COVID-19.
Ndërsa vendosja e kufizimeve për këta qytetarë, po gjen përkrahje në vend.
Aq më shumë, përkrahje po gjen edhe kufizimi i lëvizjes për të pavaksinuarit.
Të pyetur se a janë duke shqyrtuar kufizime për qytetarët që nuk po vaksinohen, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se çdo opsion është i hapur në mënyrë që të parandalohet përhapja më e madhe e virusit, e në mënyrë që të rritet vaksinimi në masë.
Megjithse, nga kjo ministri nuk kanë treguar se çfarë kufizime mund të ketë për këta persona.
Zëdhënës për informim në MSH kanë thënë se plani i vaksinimit në masë bashkë me pjesën informuese është duke u zbatuar në mënyrë që të rritet interesimi për vaksinim.
“Çdo opsion është i hapur me qëllim të parandalimit të përhapjes më të madhe të virusit dhe rritjes së vaksinimit në masë. Është Plani i Vaksinimit në Masë kundër COVID-19 bashkë me pjesën informuese e sensibilizuese që është duke u zbatuar për rritjen e interesimit për vaksinim”, është thënë nga kjo ministri.
Kryetar i Asociacioni të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë për Express se po presin që gjatë ditëve të ardhshme të kenë ndonjë takim me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia dhe të diskutojnë për situatën.
Ai ka thënë se duhet një bashkëpunim mes nivelit lokal dhe atij qendror në mënyrë që masat të zbatohen sa më mirë dhe sa më lehtë.
“Drejtorët kanë bërë thirrje që vaksinimin të kryhet përpara se të filloj viti i ri shkollor. Të gjithë kryetarët ftojnë qytetarët që të marrin vaksinat. Sa i përket masave të reja, ne nuk kemi diskutuar njëherë. Presim që ditët e ardhshme ta kemi ndonjë takim me ministrin dhe ta diskutojmë situatën. Duhet një bashkëpunim dhe koordinim me nivelit lokal që masat të zbatohen sa më mirë dhe sa më lehtë. Nëse mungon koordinimi edhe masat është pak vështirë me u zbatu. Vaksinimi duhet të jetë prioritet”, ka deklaruar ai.
Ibrahimi ka thënë se ende nuk kanë pasur ndonjë takim të brendshëm për të diskutuar në lidhje kufizimet, por që po e shohin situatën.
Ndërsa, drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka thënë se do të mbështesin çdo kufizim që propozon qeveria, përfshirë këtu edhe kufizimet në livizje.
Ai ka thënë se kufizimet ndaj të pavaksinuarve nuk do të paraqesin shkelje të të drejtave të njeriut.
“Po shihet që numri i të infektuarve është rritur në mënyrë drastike. Çdo veprim të cilin e merr shteti për mbrojtjen e shëndetit publik, e në këtë rast kundër pandemisë, ka mbështetjen, ne e përkrahim ccdo masë. Qytetarët kanë pasur mjaftueshëm kohë që të vaksinohen edhe pse disa po hezitojnë. Nuk e di pse po hezitojnë. Ne tani nuk e kemi asnjë efekt anësor për shkak të vaksinave. Nëse qeveria detyrohet të merr ndonjë masë shtrënguese kundër atyre që nuk vaksinohen, e nuk kanë asnjë arsye, ne nuk e konsiderojmë si shkelje të të drejtave të njeriut”, ka theksuar ai.
Përndryshe, ai është shprehur se e drejta për jetë është e drejta kryesore e njeriut andaj edhe qytetarët duhet të vaksinohen.
“E drejta për jetë është e drejta kryesore e njeriut dhe mbi atë të drejtë ndërtohen të gjitha të drejtat tjera. Qytetarët duhet të vetëdijesohen, duhet të vaksinohen. Tani ka vaksina të mjaftueshme. Pasi nuk po e bëjnë këtë, Kosova rrezikon edhe nga një mbyllje. Nëse Kosova mbyllet edhe dy vjet, falimentimin e ka të garantuar. Situatat e jashtëzakonshme imponojnë vendime të jashtëzakonshme”, ka shtuar ai.
Vendosjen e kufizimeve për të pavaksinuarit e kanë përkrahur edhe infektologë në vend.
Ata ditë më parë kanë thënë se nëse qytetarët e refuzojnë vaksinimin atëherë MSH’ja duhet të përgatitet që të aplikojë masa detyruese ndaj tyre.
Kujtojmë që numri i të infektuarve me koronavirus ka shënuar rritje së fundmi.
Vetëm në 24 orët e fundit në vend janë regjistruar 562 raste të reja të infektuara dhe dy viktima.
Deri tani, më pak se 19 për qind e qytetarëve, apo 333 mijë e e 965 persona janë vaksinuar kundër COVID-19 në vend.
Ndërsa, 9.5 për qind e qytetarëve kanë marrë dy doza të vaksinave./Gazeta Express