Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar bllokimin e plotë të urës alternative në Rogovë, Komuna e Gjakovës, duke e bërë të rrezikshme çdo tentativë kalimi.
Komuniteti i fshatit ka lëshuar një njoftim urgjent, duke u bërë thirrje qytetarëve që të shmangin këtë rrugë derisa të ulet niveli i ujit në lumin Drin i Bardhë.
“KUJDES! Mos e rrezikoni jetën duke tentuar të kaloni mbi të!” – thuhet në njoftimin e banorëve.
Ndërkohë, falënderime të veçanta i janë drejtuar Skënder Shalës, i cili ndërhyri me eskavator për të parandaluar shkatërrimin e mëtejshëm të urës. Pavarësisht ndërhyrjes, ajo mbetet e pakalueshme deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.
Institucionet përkatëse pritet të dalin me një njoftim për zgjidhjen e situatës. Deri atëherë, qytetarët këshillohen të përdorin rrugë alternative për të shmangur rreziqet.