Rritja e propozuar prej 15% e tarifave të energjisë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) është e pajustifikueshme dhe e rrezikshme për ekonominë dhe shoqërinë kosovare. Ky vendim, ndonëse teknikisht i strukturuar, është ekonomikisht dhe shoqërisht i papranueshëm.

1. Efekt zinxhiror në inflacion dhe standard jetese:

Ky është vendimi i tretë për rritje të tarifave brenda pak viteve, në një kohë kur inflacioni i dekadës së fundit ka përgjysmuar fuqinë blerëse të qytetarëve. Nëse tarifa e lartë rritet në 15.28 cent, ajo përfaqëson një rritje prej 126% krahasuar me vitin 2021, e papërballueshme për shumicën e familjeve dhe bizneseve.

2. Kostoja e energjisë raportuar me të ardhurat:

ZRRE e justifikon rritjen me faktin se “Kosova ka çmimet më të ulëta në rajon.” Por kur krahasohet fuqia blerëse, energjia në Kosovë rezulton 63.5% më e shtrenjtë se në Mal të Zi. Për një qytetar që merr 500 euro në muaj, një faturë prej 100 euro përfaqëson 20% të të ardhurave mujore, dhjetëfish më e rëndë se për një qytetar të BE-së.

3. Pa transparencë financiare:

ZRRE nuk ka publikuar raportet financiare të KEDS, duke pamundësuar analizën e drejtë të të hyrave maksimale të lejuara. Rritja e kërkesës nga KEDS për 217 milionë euro në 2025 (nga 120 milionë në 2024) është e tepruar dhe në mospërputhje me dokumentin strategjik të vetë ZRRE-së.

4. Shkelje e detyrimeve ligjore:

Ligji e obligon ZRRE-në të konsultojë publikun dhe të mbrojë konsumatorët. Në këtë proces, janë anashkaluar organizatat e mbrojtjes së konsumatorit dhe nuk është demonstruar transparencë apo ndjeshmëri ndaj ndikimit socio-ekonomik të vendimit.

5. Zgjidhje të mundshme pa rritje tarifash:

Nëse rishikohen humbjet e lejuara për KEDS dhe investimet për shërbime ndihmëse të KOSTT, si dhe kërkohet një subvencion direkt nga buxheti shtetëror, një shumë që Qeveria e ka dëshmuar se mund ta mobilizojë, rritja e tarifave bëhet e panevojshme. Kjo është një zgjidhje e balancuar, që ruan interesin publik dhe mbron ekonominë.

ZRRE duhet të reflektojë me përgjegjësi institucionale. Rritja e tarifave nuk është zgjidhje teknike, por vendim me pasoja reale në jetën e qytetarëve. Një ekonomi që i nënshtrohet inflacionit për shkak të energjisë shkon drejt pakënaqësisë sociale dhe krizave tjera. Kosova ka nevojë për vendime të mençura, jo për përshkallëzim të barrës mbi qytetarët.

Related Posts