Ish-ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj, ka deklaruar se rënia e fundit e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare ende nuk është reflektuar në Kosovë dhe se kjo pritet të ndodhë me vonesë.

Sipas tij, tregjet globale të naftës kanë shënuar rënie deri në 13 për qind, por efektet në Kosovë nuk shihen menjëherë.

“Sot tregjet e naftës kanë pasur rënie deri në 13 për qind pothuajse në të gjithë globin. Kjo në Kosovë reflektohet me shumë vonesë, edhe pse kur kemi ngritje të çmimeve në bursat ndërkombëtare ajo reflekton brenda 24 orëve, por rënia e çmimit reflektohet me shumë vonesë, dy javë, tri javë ndoshta edhe një muaj shkon. Realisht nuk pritet më herët, kjo në Kosovë do të vijë me ngadalësi të breshkës”, ka deklaruar Mulaj në emisionin FIVE.

Ai ka shtuar se qytetarët nuk duhet të presin ulje të menjëhershme të çmimeve në pikat e derivateve, pasi transmetimi i ndryshimeve nga tregjet ndërkombëtare në tregun vendor është i ngadalshëm.

Mbrëmjen e 7 prillit, SHBA-ja dhe Irani u pajtuan për ndalimin e armiqësive për dy javë dhe hapjen e Ngushticës së Hormuzit, rrugë kyç detare përmes së cilës kalon rreth 20 për qind e naftës dhe gazit në botë.

Pas kësaj marrëveshjeje, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, (MINT) Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se shpreson që çmimet e naftës të stabilizohen në ditët në vijim.

Related Posts