Haki Abazi, ish-zv.kryeministër i Kosovës thotë se Albin Kurti do të jetë kandidat për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit. Abazi ka shtuar se nuk ka asnjë pengesë ligjore që ia ndalon Kurtit këtë të drejtë.
“Kurti dhe të gjithë anëtarët e tjerë do të jenë pjesë e Listës së VV-së dhe do të bëhet kryeministër i Kosovës. Nuk ka asnjë interpretim ligjor, vepra për të cilën është dënuar me kusht. Tentimet për të krijuar mjegull janë pjesë e shantazhit”, u shpreh Abazi.
Ai shprehet i bindur se VV do të jetë fituese e zgjedhjeve pasi ka një mobilizim të emigrantëve por edhe të votuesve brenda Kosovës.
Ndërsa duke komentuar zhvillimet e fundit në SHBA, Abazi tha se tensioni në Kapitol Hill vjen si rezultat i gjuhës denigruese dhe përjashtuese që Trump ka përdorur gjatë 4 viteve.
“Asnjëherë nuk është parë në historinë e SHBA një gjuhë e tillë dhe sigurisht që kjo ngacmon njerëzit”, tha ai.
Abazi e konsideroi një shans historik për shqiptarët në rajon faktin që Joe Biden do të jetë Presidenti pasi ka një njohje të gjatë për shqiptarët.