Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka theksuar se Kosova përfaqëson një histori të dyfishtë suksesi. Sipas tij, së pari, është histori suksesi e ndërhyrjes ushtarake dhe humanitare të NATO-s për të ndaluar gjenocidin e Serbisë, dhe së dyti, si shtet ku zhvillimi ekonomik dhe demokracia ecin krah për krah.
Kurti të enjten mori pjesë si i ftuar në diskutimin “Paqeruajtja në një udhëkryq: E ardhmja e misioneve të OKB-së dhe përgjegjësia globale”, të organizuar në kuadër të Forumit të Paqes në Paris.
Ai theksoi se përgjatë viteve, me fuqizimin e shtetit, ulej prezenca ushtarake ndërkombëtare në vend, ndërsa rritej progresi ekonomik.
“Sot Kosova ka Bruto Produkt Vendor (BPV) për kokë banori gjashtë herë më të lartë sesa në vitin 2000 dhe tri herë më të lartë sesa në vitin e shpalljes së pavarësisë më 2008. Kosova duhet të shërbejë si shembull që çlirimi dhe pavarësia kanë edhe dividentë makroekonomike e sociale për të gjithë qytetarët,” ka thënë Kurti, sipas njoftimit të Kryeministrisë.
Ai u shpreh se çdo mision paqeruajtës ka nevojë për vlera të përbashkëta dhe jo vetëm për interesa të përbashkëta, duke nënvizuar rëndësinë e multilateralizmit, dialogut, negocimit, pajtueshmërisë dhe marrëveshjeve. Në këtë kuptim, ai përmendi modelin e Bashkimit Evropian si një projekt politik dhe proces historik të paqes dhe prosperitetit.
Duke u përgjigjur në pyetjet e audiencës, Kurti foli gjithashtu për forcimin e shtetësisë së Kosovës, për tri njohjet e fundit gjatë këtij viti, si dhe për aspiratat e vendit për integrim në Bashkim Evropian dhe NATO, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit rajonal.


























