Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari, u takua me drejtorin ekzekutiv të Bosch Rexroth, Steffen Haack, në Hannover, ku po merr pjesë në panairin “Hannover Messe 2025”.
Bëhet e ditur se temë kryesore e bisedës mes tyre ishte mundësia e investimeve në Kosovë, gjersa kryeministri e njoftoi atë mbi reformat e suksesshme dhe arritjet e qeverisë përgjatë këtij mandati.
“Gjithashtu, u diskutua mundësia e bashkëpunimit në fushën e kërkimit, hulumtimit dhe zhvillimit në sektorët e automatizimit dhe teknologjisë industriale. Kryeministri theksoi gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të mbështetur iniciativat e kompanive gjermane në themelimin e qendrave të inovacionit dhe trajnimit profesional në vend, në bashkëpunim me universitetet”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të Kryeministrit.
Gjithashtu bëhet e ditur se Kurti e ftoi atë që ta vizitojë Kosovën për të njohur më gjerësisht potencialin për investime që ofron ajo.