Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka as arsye ligjore e as morale që ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi të mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale në Hagë, edhe pesë vjet pas arrestimit të tyre e kur tash më nuk ka dëshmitarë dhe prokuroria e ka përfunduar rastin.

Në një publikim në Facebook, tek ka kujtuar pesëvjetorin e arrestimit të tyre, Kurti ka publikuar një letër të cilën ka thënë se ia ka dërguar kryetaren e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova më 2022. Aty ai ka kërkuar lirimin e tyre, por kërkesat nuk kanë marrë përgjigje.

“Si Kryeministër, zyra ime dhe unë kemi kërkuar lirimin e tyre që nga fillimi. Në vijim po bashkëngjes letrën që i është dërguar drejtpërdrejt znj. Trandafilova në lidhje me këtë çështje në shtator të vitit 2022. E bëj publike sot për një arsye të vetme: sepse besoj se është e drejtë që ata të kthehen në shtëpitë e tyre, të jenë pranë familjeve të tyre, dhe ta mbrojnë në liri luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës. Përgjigja e znj. Trandafilova pas dy javësh që mori letrën nga unë nuk ndryshoi gjë. Kërkesat e paraqitura nuk morën zgjidhje. Kërkesat tona qëndrojnë akoma, e në Kosovë ekzistojnë të gjitha garancitë për përgjigje pozitive ndaj tyre”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Related Posts