Prishtinë, 22 qershor 2025 – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar mbështetjen e plotë të Kosovës për qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian kundër programit bërthamor të Iranit, duke theksuar se siguria ndërkombëtare rrezikohet nga shtimi i armatimit bërthamor, sidomos në duart e regjimeve autoritare.
Në një deklaratë publike, Kurti tha se “siguria ndërkombëtare ka nevojë për më pak armatim nuklear dhe jo më shumë bomba bërthamore që vënë në rrezik gjithë njerëzimin”. Ai theksoi se përpjekjet e disa shteteve për t’u pajisur me armë të tilla, si në rastin e Iranit, janë çështje urgjente dhe alarmuese për paqen dhe stabilitetin global.
Kryeministri nënvizoi se Republika e Kosovës qëndron krah për krah me SHBA-të dhe BE-në në përpjekjet e tyre për të parandaluar përhapjen e armëve bërthamore. “SHBA-të janë aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe miku special. Republika e Kosovës është e përcaktuar fuqishëm në mbrojtje të vlerave demokratike dhe euro-atlantike,” tha Kurti.
Kjo deklaratë vjen në një kohë kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur për shkak të përshkallëzimit të programit bërthamor të Iranit dhe paralajmërimeve ndërkombëtare për pasoja të mundshme në rast të prodhimit apo përdorimit të armëve nukleare nga regjime jodemokratike.
Qëndrimi i qeverisë së Kosovës përforcon orientimin e saj strategjik drejt strukturave perëndimore dhe mbështetjes së politikave globale që promovojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin ndërkombëtar.