Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve me një shtet që nuk njeh krimet e kryera gjatë luftës, është i vështirë.

Kurti ka përsëritur mosrespektimin e marrëveshjeve të nënshkruara në kuadër të dialogut nga ana e Serbisë.

Ai ka thënë  se marrëdhëniet mes dyja vendeve duhet të normalizohen, por ka potencuar se për të rifilluar dialogu, Serbia “duhet të dorëzojë Milan Radoiçiqin, i akuzuar për planifikimin e sulmit në Banjskë më 2023, tha Kurti, duke shpresuar që, siç tha ai “BE-ja, Franca dhe Gjermania do të ushtrojnë presion” mbi Beogradin për ta bërë këtë.

Kurti  në një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve AFP përmendi lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë, duke thënë se nëse Rusia do të vendoste të destabilizonte rajonin, “në marshimin e saj drejt Evropës Perëndimore, mund të mbështetet te Serbia si aleate.

“Dhe kjo është shqetësuese për vendin tonë. Por po punojmë me partnerët tanë për të parandaluar që kjo të ndodhë”, u shpreh Kurti.

Kurti foli edhe për marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara për pranimin e deri në 50 migrantëve nga vendet e treta, të cilët janë ekstraduar nga SHBA-ja. Ai bëri të ditur se deri më tani në Kosovë ka arritur vetëm një person.

“Ne nuk po kërkojmë ndihmë financiare në këmbim. Këtë po e bëjmë për ta ndihmuar SHBA-në, e cila është partnere, aleate dhe mike e jona”, tha Kurti, duke shtuar se nuk e përjashton mundësinë e arritjes së marrëveshjeve të ngjashme edhe me shtetet evropiane.

Related Posts