I propozuari i VV-së për Kryeministër, Albin Kurti ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me funksionimin e Kuvendit duke thënë se Gjykata po vepron si një “hije politike” e opozitës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke vënë në dyshim arsyeshmërinë e masës së përkohshme të marrë pas zgjedhjes së kryetarit dhe katër nënkryetarëve të Kuvendit.
Sipas Kurtit, vendimi i Gjykatës parashikon që 120 deputetë të republikës të “vegjetojnë” deri më 30 shtator, për një periudhë prej 25 ditësh.
Ai ka theksuar se vetë dilema e tij është nëse masa është më shumë absurde apo më shumë e dëmshme, duke nënvizuar se, sipas tij, ajo përmban të dyja elementet.
Në mes të mandatit tonë që s’po përfundon dhe mandatit të ri që s’po fillon, të nderuar delegatë të KP të VV’së, e dimë që ndodhet Gjykata Kushtetuese e cila po funksionon si një hije politike e opozitës ndaj VV’së. Meqë tash u zgjodh kryetari i kuvendit dhe 4 nënkryetarë gjykata mori masë të përkohshme sipas kërkesës së LS paarsyeshëm besoj dhe unë dhe kërkoi që 120 deputetë të republikës, merreni me mend, të vegjetojnë deri më 30 shtator, plot 25 ditë kot. Kjo është ngjashëm sikur ministri ynë i shëndetësisë Arben Vitia të lëshojë një vendim mjekësor që ata 7 gjyqtarë duhet të shkojnë në pushim mjekësor për shkak të gjendjes së rënduar të tyre. Të vetmen dilemë që e kam në këtë situatë nëse është më shumë absurd apo më shumë e dëmshme kjo masë 25 ditore. Por që është edhe shumë absurde edhe shumë e dëmshme nuk kam dyshime”, tha Kurti.
Ai tutje tha se në 8 raste gjykata ka shpallur antikushtetuese vendime të qeverisë, duke vonuar vendimmarrjen mbi një vit në disa raste.
Kurti krahasoi punën e qeverisë me atë të gjykatës, duke vënë në dukje se qeveria gjatë këtij mandati ka miratuar 2,349 vendime, mbi një vendim në ditë, ndërsa Gjykata Kushtetuese ka marrë më shumë se 11 muaj për një vendim.
“Nuk është hera e parë që Gjykata Kushtetuese vonon, zvarrit, pengon dhe qëllimshëm dëmton procese të dobishme për qytetarët e Republikës sonë. Në 8 raste me vendimet e tyre kanë penguar nisa reformuese qëllimmira të qeverisë duke i shpallur ato si antikushtetuese, në plot herë vendimmarrja e tyre ka vonuar mbi 1 vit. Një herë të vonojnë e pastaj të rrëzojnë. E nëse e llogarisim mesataren e tyre Kushtetuesja është vonuar 329 ditë, afërissht 11 muaj për një vendim të vetëm, ndërsa qeveria jonë vetëm në mbledhje të qeverisë ka miratuar 2 mijë e 349 vendime për këtë mandate, pra mbi një vendim në ditë e Kushttuesja ka nevojë afërsisht 329 ditë për një vendim të vetëm. Ne si qeveri kemi marrë më shumë se një vendim në ditë, e ata më shumë se 11 muaj për një vendim. E kur e marrin atë vendim, është vendim zakonisht i mbrapshtë e ne i kemi të gjitha këto vendime të mira. A po e kuptoni pse e kemi Gjykatën Kushtetuese të këtillë si është ndërmjet mandatit që s’po përfundon dhe mandatit që s’po nisë”, tha Kurti në Këshillin e Përgjithshëm të VV-së.