Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka cilësuar sukses për partinë e tij fitoren në 7 komuna në nivel vendi në zgjedhjet lokale. Sipas tij, fitorja në katër komuna në balotazh u arrit pavarësisht se “të gjithë të tjerët janë bashkuar kundër VV-së”.
“Është një situatë e paprecedentë në historinë politike elektorale të Kosovës andaj ky është një sukses i VV-së dhe i qytetarëve. Po i presim rezultatet ende në komunat e tjera. Me siguri që do t’iu drejtohemi sërish kur t’i marrim ato, mirëpo tash më duhet të shkojë me nxitim në tubimin festiv së pari në Fushë-Kosovë, pastaj në Kastriot e mandej në Mitrovicë”, ka thënë Kurti në një deklaratë për mediat.
Lëvizja Vetëvendosje pati fituar në raundin e parë në Podujevë, Shtime e Kamenicë. Ndërsa nga 12 komuna në të cilat garoi në balotazh, ka fituar në Mitrovicë të Jugut, Gjilan, Obiliq e Fushë-Kosovë.























