Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë se po pret certifikimin e rezultatit zgjedhor kur u pyet se kur do të filloj konsultimet për formimin e Qeverisë së re.

“Një herë certifikimi i rezultateve” – ishte përgjigja e shkurtër e kryeministrit kosovar Albin Kurti për Kosovapress.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka dalë ende me rezultatet përfundimtare të Zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025. Ndonëse procesi i numërimit të votave ka përfunduar më 05.03.2025, subjekteve politike u jepen 48 orë për të ushtruar Ankesa në PZAP dhe Gjykatë Supreme.

Sipas shifrave të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka marrë 396,022 vota, apo 42.27%, me 48 mandate. PDK-ja është renditur e dyta me 196,353 vota, apo 20.96%. Lidhja Demokratike (LDK) me 171,249 vota, apo 18.28% dhe Koalicioni AAK-Nisma ka marrë 66,226 vota, apo 7.07%.

Lista Serbe do t’i ketë 9 ulëse, ndërsa 1 ulëse nga komuniteti serb e ka fituar partia e Nenad Rashiqit. 10 ulëset e tjera u përkasin komuniteteve të tjera joshumicë joserbe. Dy deputetë do t’i ketë Kosova Demokratik Partisi dhe nga një ulëse për Deputet e kanë siguruar: Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Nova Demokratska Stranka, Socijaldemokratska Unija, Partia Liberale Egjiptiane, Koalicija Vakat, Partia e Ashkalinjve për Integrim, Jedinstvena Goranska Partija dhe Partia Rome e Bashkuar e Kosovës.

Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë të gjashtat me radhë që janë mbajtur që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17.02.2008.

Kryetari i NISMA-s, Fatmir Limaj është shprehur i hapur për të negociuar me Albin Kurtin e VV-së për koalicion të mundshëm, megjithatë ky variant i koalicionit do të ishte më fragjili, me vetëm 61 deputetë, nëse numërojmë mandatet e VV-së, NISMA-s që pritet t’i ketë 3 deputetë, duke shtuar këtu edhe 11 deputetët nga komunitetet pa Listën Serbe. Në këtë variant nuk do të ishte e mundur zgjedhja e Presidentit.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, i cili ka lidhur Koalicion parazgjedhor me Ramush Haradinajn, ka deklaruar në emisionin “Debat Plus”, më 20.02.2025, se është i hapur për koalicione pas Zgjedhjeve.

Limaj tha se për të nuk janë me rëndësi pozicionet, por temat nacionale.

“Kush më fton në tavolinë, unë shkoj, ulna për Kosovën. Pikë. Unë shkoj ulna për tema nacionale. S’janë me rëndësi pozicionet… Çka po të vyen një Qeveri jofunksionale. S’më ke mua në një Qeveri jofunksionale. Kurrë, nuk hyj. Në një Qeveri që është kundër interesave të Kosovës. Nuk futem.” – ka deklaruar Limaj, në “DebatPlus”.

Sa i përket Koalicionit parazgjedhor, Limaj tha se AAK dhe Nisma janë dy parti politike të ndara.

Ramush Haradinaj i AAK-së kishte deklaruar se do të ndihmojë një Qeveri të opozitës, e assesi koalicion me LVV-në.

“Ne e shohim që në këtë politikë që e kam udhëheq, si ndaj mashtruesit që e udhëheq Kosovën, pra Qeverisë mashtruese, mendoj që është në nderin tim që të ndihmoj një Qeveri të opozitës, e assesi koalicion me VV-në.” – tha Haradinaj, në një Konferencë për media, më 10.02.2025.

Në anën tjetër, një sinjal ndër fjalë e ka dhënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pas takimit me Të ngarkuarën me Punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati.

“Pavarësisht rrethanave politike, angazhimi ynë për të mirën e qytetarëve dhe forcimin e institucioneve të shtetit mbetet i palëkundur.” – ka shkruar ai, në një postim në Facebook, më 19.02.2025.

PDK, si partia e dytë fituese në këto Zgjedhje, ndonëse fillimisht nuk ka vënë vija të kuqe për koalicion me LVV-në, e ka qartësuar pozicionin e saj, më 10.02.2025, duke i thënë “Jo” një oferte të mundshme nga partia e Kurtit.

Kandidati për Kryeministër i PDK-së, Bedri Hamza tha se nuk do të përfshihen në asnjë koalicion me VV-në.

“Më obligon mua që të sillemi ashtu që ta respektojmë vullnetin e shumicës për ndryshim. Nuk do të përfshihemi në asnjë koalicion me VV-në. Ata duan pushtet absolut.” – tha ai, në një Konferencë për media, më 10.02.2025.

Kandidati për Kryeministër nga LDK-ja, Lumir Abdixhiku kishte deklaruar më 12.02.2025 se mban qëndrimet që i ka pasur edhe para Zgjedhjeve.

“Do t’i respektojë këto preferenca, sepse nuk di ndryshe! Qëndrimet e mia e të LDK-së paraelektorale mbeten edhe zotime të sotme. Le të mësohemi me një politikë, ku mbajtja e fjalëve është standard bazik, e ku marrja e pushtetit me çdo kusht nuk është qëllim!” – ka thënë ai.

Zgjedhjet e 9 shkurtit janë Zgjedhjet e para të rregullta që Kosova i ka mbajtur që nga shpallja e pavarësisë, më 2008.

Related Posts