Deputetja Mimoza Kusari-Lila tha se Kosova “do t’i humbë përherë 10 për qind” nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.
“Plani i Rritjes nga BE-ja ka afat skadimi. Nëse në dhjetor të vitit 2025 nuk miratohet marrëveshja, 10 për qind nga 880 milionë euro, humbin. Janë të pakthyeshme, nuk mund të kthehen edhe nëse zgjedhjet mbahen në dhjetor”, tha Kusari.
Sa për dijeni, paraliza politike ka bërë gjithashtu që Kosova të mos jetë në gjendje ta marrë asnjë qindarkë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, nga i cili parashihet të përfitojë mbi 880 milionë euro.
Plani i Rritjes përmban një paketë prej 6 miliardë eurosh për të përkrahur përafrimin e ekonomive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor me standardet evropiane.
Kosova duhet ta ratifikojë në Kuvend marrëveshjen me bllokun evropian, për të qenë në gjendje të fillojë t’i pranojë të hollat.
























