Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë, dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila ka zhvilluar takime pune me drejtues të agjencive shtetërore, atë të Administratës Tatimore dhe Doganës së Kosovës.

Sipas njoftimit për media në këtë takim është diskutuar lidhur me çështje konkrete që lidhen me lehtësimin e të bërit biznes dhe përmirësimin e shërbimeve për ndërmarrjet dhe qytetarët.

Postimi i plotë:

Sot zhvillova takime pune të ndara me drejtues të agjencive shtetërore, atë të Administratës Tatimore dhe Doganës së Kosovës, me të cilët diskutova për çështje konkrete që lidhen me lehtësimin e të bërit biznes dhe përmirësimin e shërbimeve për ndërmarrjet dhe qytetarët.

Me Drejtorin e Përgjithshëm të Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni, biseduam për unifikimin dhe azhurnimin e të dhënave të bizneseve në bashkëpunim me ARBK-në, në mënyrë që informacionet për bizneset të jenë sa më të sakta dhe të përditësuara. Po ashtu diskutuam për uljen e burokracisë në raport me shërbimet që institucionet u ofrojnë bizneseve, si dhe për zhvillimin dhe avancimin e sistemit informativ të ARBK-së.

Ndërkaq, me Drejtorin e Përgjithshëm të Doganës së Kosovës, z. Agron Llugaliu, biseduam për mundësitë e krijimit të lehtësirave shtesë për bizneset, eliminimin e disa tarifave dhe reduktimin e burokracive në vendkalimet kufitare me vendet e rajonit. Diskutuam gjithashtu për bashkëpunimin institucional në kontrollin e cilësisë së derivateve, si në tregun e jashtëm ashtu edhe në atë të brendshëm.

Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përmirësimi i shërbimeve për bizneset mbeten thelbësore për një ekonomi më funksionale dhe më konkurruese. Mbështetja e ndërmarrjeve dhe krijimi i kushteve më të mira për biznesin janë hapa të domosdoshëm për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për më shumë mundësi për qytetarët tanë.

Related Posts