Kuzhina juaj duhet të jetë një vend për shoqërim, argëtim dhe gatim, gjë që e bën njërën nga hapësirat më të rëndësishme dhe më të dashura në shtëpi. Zgjedhja e ngjyrës së duhur për kuzhinën ka një ndikim të madh në atmosferën dhe pamjen e saj

Idetë për kuzhinën mund të ndryshojnë tërësisht në varësi të paletës së zgjedhur të ngjyrave. Ngjyra mund ta hapë hapësirën dhe ta bëjë të duket më e madhe, të ndajë zona të ndryshme, si dhe t’i japë ambientit pamje rustike apo moderne.

Një fillim i shkëlqyer është të mbështeteni tek stili arkitekturor apo lloji i dollapëve të kuzhinës – nëse janë elegantë dhe modernë, tradicionalë apo rustikë, zgjedhja e ngjyrës së duhur me ndikim historik i jep dizajnit kontekst dhe veçanti, thonë ekspertët.

Si ta zgjidhni ngjyrën më të mirë për kuzhinën?

Kur zgjidhni ngjyrat për kuzhinën, është e rëndësishme të merrni parasysh ngjyrat që tashmë ekzistojnë në hapësirë – mobiliet, dyshemeja apo pajisjet, të gjitha këto duhet të jenë pjesë e paletës suaj. A ka elemente arkitekturore apo detaje të veçanta që doni t’i theksoni? Ngjyra është një mënyrë e shkëlqyer për të vënë në pah një detaj të preferuar.

Ngjyrat më të përshtatshme për të lyer kuzhinën varen nga madhësia e hapësirës, sasia e dritës natyrale që merr dhe mënyra se si planifikoni ta përdorni kuzhinën. Ndryshimi i ngjyrës së murit është një ide e përballueshme që mund të freskojë dhe të transformojë tërësisht ambientin, transmeton Telegrafi.

Cila është ngjyra më e mirë për një kuzhinë të vogël?

Për kuzhinat e vogla, qëllimi është që drita të reflektohet dhe përmes “pasqyrimit” të krijojë iluzionin e një hapësire më të madhe. Prandaj, tonet neutrale dhe të ngrohta janë ideale për muret, ato e bëjnë hapësirën më të këndshme, të ndritshme dhe mikpritëse.

Ngjyrat pastel si e verdha e zbehtë, bluja bebe apo rozë e lehtë janë zgjedhje të shkëlqyera nëse dëshironi të sillni pak ngjyrë pa e rënduar ambientin. Muret apo dollapët e çelur kombinohen bukur me tekstura natyrore, sipërfaqet e punës prej graniti apo mermeri dhe raftet prej druri i shtojnë thellësi dhe karakter hapësirës.

Cila është ngjyra më e mirë për një kuzhinë të madhe?

Kuzhinat e mëdha ofrojnë shumë më tepër liri për të përdorur nuanca më të errëta, qoftë për muret, elementët e kuzhinës apo ishullin qendror.

Ngjyrat e errëta, si blu e thellë, kafe apo gri qymyri, i japin hapësirës thellësi, ngrohtësi dhe një prekje luksi. Ato ndihmojnë që një kuzhinë e madhe të mos duket e ftohtë dhe e zbrazët, por e ngrohtë dhe intime.

Pra, nëse keni një kuzhinë të gjerë dhe shumë dritë natyrale, mos ngurroni të përdorni nuanca të errëta, ato do t’i japin karakter dhe ngrohtësi ambientit tuaj.

Related Posts