Demokrat Shigjeqi është personi ndaj të cilit Prokuroria Themelore në Prizren i ka ngritur aktakuzë për veprën penale “Fajde”, “Kanosje” dhe “Posedim të paautorizuar të substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.

I dyshuari akuzohet se nga data 1 gusht të vitit 2022 e në vazhdimësi deri më 7 nëntor të vitit të kaluar, me dashje kontrakton një shumë dukshëm jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit (dhënies së borxhit), duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të të dëmtuarit F.K., në atë mënyrë që pasi i dëmtuari ishte në gjendje të rëndë financiare dhe i duheshin të holla për biznesin e tij që ishte në falimentim, duke njohur të pandehurin të cilin e kishte bashkëfshatar, i dëmtuari shkon tek i pandehuri me të cilin takohen në Prizren, nga i cili merr tre mijë euro ku me rastin e dhënies së të hollave, i pandehuri e paralajmëron se për çdo vonesë duhet të paguajë nga 300 euro kamata mujore.

I dëmtuari për gjashtë muaj rresht vazhdon të paguajë nga 300 euro kamata mujore, pastaj në muajin mars të vitit 2023 i dëmtuari me qëllim të mbylljes së fajdesë sërish nga i pandehuri merr të holla në shumë prej katër mijë euro ku me rastin e dhënies së të hollave i pandehuri e paralajmëron se duhet të paguajë 700 euro kamatë mujore, pastaj i pandehuri për shumën e të hollave në vlerë prej shtatë mijë euro kërkon kamatë mujore në shumë prej një mijë e 500 euro, të cilën shumë i dëmtuari i jep me datë 07.11.2024, me ç’rast i pandehuri me paratë e marra arrestohet në flagrancë, me ç’rast i dëmtuari përveç borxhit bazë tek i pandehuri ka paguar kamatë në vlerë prej 18 mijë euro, me të cilat veprime të dëmtuarit i shkakton dëm material në vlerën e lartcekur.

Për këtë, prokurori i rastit ka propozuar që si mjete të kryerjes dhe dobi pasurore, të pandehurit Demokrat Shigjeqi t’i konfiskohen sendet të cilat i kanë mundësuar kryerjen e veprës penale dhe të cilat janë dobi pasurore e fituar me vepër penale, për të cilat është lëshuar Urdhër Ndalues Përfundimtar nga Gjykata, duke përfshirë një automjet, telefona dhe të holla.

Merret vesh se i dyshuari i dytë i përfshirë në rast ndaj të cilit poashtu është ngritur aktakuzë, por për veprën penale “kanosje”, është Astrim Shigjeqi, familjar i Demokratit.

Related Posts