Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka bërë homazhe te arkivoli i babait të ish-presidentit, Hashim Thaçi.
Ai tha se Haxhi Thaçi është simbol i të gjithë baballarëve që edukuan djem, të cilët i shërbyen atdheut për çlirim dhe pavarësi.
“Erdhëm për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prindi, një luftëtari, një burri të madh i cili është simbol i gjithë baballarëve tanë. Me edukimin dhe sakrificën e tij rriti djem në shërbim të vendit.
Baci Haxhi simbolizon lavdinë e të gjithë baballarëve tanë. Është nga shenjat e fundit të simboleve tona, shtyllave të mëdha që na ushqyen, motivuan dhe udhëzuan sesi duhet atdheu dhe si duhet të shkohet drejt çlirimit. Kam pas fatin që gjatë luftës dhe pas çlirimit kemi qëndruar bashkë dhe kemi biseduar, kemi pas lidhje të ngushtë emocionale.
Çlirimi i lirisë së Kosovës edhe sot po paguhet. Sot nuk është këtu ai që i ka shërbyer dhe ka dhënë kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Në momentin më të rëndësishëm të jetës së tij në përcjellje të prindërit mungon presidenti Thaçi. Kjo tregon sesa e shtrenjtë dhe sa sakrificë e mund familjet tona kanë paguar për çmimin e lirisë s së Kosovës”, tha ai.