Komuna e Lipjanit, në bashkëpunim me Shoqatën për Zhvillim të Qëndrueshëm Mjedisor dhe Shoqëror – ESRA, kanë njoftuar organizimin e festivalit “Mërgata Fest & Sports 2025”, që do të mbahet nga 24 deri më 31 korrik 2025 në lokacione të ndryshme të qytetit.

Ky festival, që tashmë është bërë një traditë e dashur për qytetarët dhe bashkatdhetarët tanë, do të ofrojë aktivitete të ndryshme sportive, kulturore dhe argëtuese, me synimin për të bashkuar komunitetin dhe për të krijuar një atmosferë festive gjatë sezonit të kthimit të mërgimtarëve në vendlindje.

Programi i festivalit përfshin:

  • 24 – 28 Korrik 2025: Aktivitete sportive në Sheshin “Adem Jashari”, Kompleksin Sportiv “Better Life” dhe Palestrën e Re Sportive. Sportistët e të gjitha moshave do të kenë mundësinë të garojnë dhe të argëtohen në një atmosferë dinamike dhe miqësore.
  • 27 Korrik 2025: Retro Ride Show – Old Timer, ekspozitë e veçantë e veturave klasike që do të mbahet në Sheshin “Adem Jashari”. Ky aktivitet do të sjellë nostalgji dhe admirim për dashamirësit e automjeteve historike.
  • 29 – 31 Korrik 2025: Koncerte madhështore, ku pritet të performojnë artistë të njohur vendorë dhe nga diaspora. Koncertet do të mbahen në Sheshin “Adem Jashari” dhe do të mbyllin festivalin me muzikë dhe atmosferë festive.

Festivali mbahet nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, z. Imri Ahmeti, i cili ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së lidhjes me mërgatën dhe krijimit të mundësive për bashkëjetesë kulturore dhe sportive.

“Mërgata Fest & Sports 2025” është një mundësi ideale për t’u argëtuar, për të ndarë kujtime dhe për të forcuar lidhjet ndërmjet komunitetit vendor dhe atij të mërgatës.

Related Posts