Lista Serbe u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë që të respektojnë Ligjin për të huajt, duke përfshirë edhe lehtësirat e reja për pajisje me lejeqëndrim 12-mujor.
Në një postim në Facebook, kjo parti ka theksuar se është e vetëdijshme për qëndrimin e qytetarëve ndaj këtyre dokumenteve, por ka shtuar se marrëveshja e arritur ka parandaluar pasoja më të mëdha.
“E dimë qëndrimin e popullit për këto dokumente, por me marrëveshjen e dakorduar është penguar që 10 mijë persona të mbesin jashtë Kosovës”, thuhet në reagim.
Lista Serbe e ka cilësuar këtë si një arritje të rëndësishme.
“Kemi arritur, siç do të thoshte Patriarku ynë, të ruajmë popullin tonë në Kosovë”, thuhet në reagim.
Sipas reagimit, disa kategori qytetarësh do të kenë mundësi të përfitojnë nga lehtësirat.
“Personat që punojnë në institucione shëndetësore dhe arsimore, por nuk jetojnë në Kosovë, mund të aplikojnë për lejeqëndrim njëvjeçar me të drejtë zgjatjeje. Po ashtu edhe studentët”, thekson kjo parti.
Ndërkaq, qytetarët që jetojnë në Kosovë pa dokumente do të mund të aplikojnë për pajisje me to.
“Qytetarët që nuk kanë dokumente të Kosovës, por jetojnë në Kosovë dhe M., do të jenë në gjendje të marrin dokumente të Kosovës nga e hëna në bazë të dokumenteve serbe”, thuhet në reagim.
Lista Serbe ka bërë të ditur se kryetarët e komunave me shumicë serbe do të ndihmojnë në mbarëvajtjen e procesit dhe se afati për aplikim është deri më 16 qershor.
Gjithashtu, është përmendur edhe çështja e targave të automjeteve.
“Po punojmë shumë për të gjetur një zgjidhje për problemin e automjeteve dhe besojmë se, me mbështetjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë, së shpejti mund të arrijmë një zgjidhje që do t’u sjellë dobi qytetarëve tanë”, thuhet në reagim.






















