Liverpooli është shumë pranë arritjes së marrëveshjes për transferimin e mbrojtësit të majtë hungarez, Milos Kerkez, nga Bournemouth.
Negociatat mes dy klubeve po ecin mirë dhe The Reds mbeten favoritë për ta siguruar shërbimet e 21-vjeçarit.
Bisedimet kanë nisur që në nëntor të vitit të kaluar dhe kanë hyrë në një fazë të avancuar. Një marrëveshje mund të arrihet para hapjes zyrtare të afatit kalimtar më 10 qershor 2025.
Vetë lojtari është i interesuar t’i bashkohet Liverpoolit, me dëshirën për të luajtur në të njëjtin ekip me bashkëkombasin e tij, Dominik Szoboszlai derisa ai nuk ka vënë asnjë pengesë sa i përket kushteve personale.
Bournemouth ka vendosur një çmim prej rreth 45 milionë funtesh për Kerkez, i cili ka qenë një titullar i pandryshueshëm këtë sezon në Ligën Premier. Liverpooli është i gatshëm ta paguajë këtë shumë për ta përforcuar krahun e majtë të mbrojtjes.
Transferimi i Kerkez shihet si një hap strategjik për të zëvendësuar skocezin Andy Robertson, i cili tashmë është në fazat e fundit të karrierës së tij në Anfield.
Ndërkohë, interesimi i mëparshëm nga Manchester City dhe Real Madrid duket se është zbehur, duke i dhënë Liverpoolit një avantazh të madh në këtë garë.