Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për të vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, duke ndaluar çdo veprim të Kuvendit dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë, ka ardhur reagimi i parë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në reagimin e LVV-së thuhet se ‘Gjykata Kushtetuese që në krye të herës ka mbajtur anë duke marrë këtë vendim sot’.

“Ndalimi i punës së 120 deputetëve është në kundërshtim të plotë me funksionalizimin e një nga institucioneve më të rëndësishme të shtetit siç është Kuvendi” thuhet në reagim.

LVV e cilëson këtë si diktat të Gjykatës Kushtetuese që ka vendosur Kuvendin në pauzë.

“Në tekstin prej 15 faqesh që Gjykata ka përgatitur për të përmbledhur faktet dhe arsyetimin e masës është paraqitur disa herë vlerësimi i ankuesve se atyre u takon ekskluziviteti i propozimit dhe zgjedhjes së Nënkryetarit. Kjo nuk është thënë as në Kushtetutë, kjo nuk është as fryma e organizimit të shtetit të Kosovës. Çdo interpretim e aktgjykim që do të shkonte në këtë drejtim do të ngurtësonte të drejtën e vetos në konstituimin e Kuvendit nga Lista Serbe. Kjo parti, dhe asnjë parti që ka vende të rezervuara në Kuvend nuk duhet dhe nuk e ka të drejtën e vetos për konstituimin e Kuvendit të Kosovës” thuhet në reagim.

Reagimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese pezulloi Kuvendin për 25 ditë për ankesën e Listës Serbe

Sot Gjykata Kushtetuese mori vendim për masë të përkohshme lidhur me ankesën e Listës Serbe.

Çdokush do të pyeste me të drejtë pse u pa e nevojshme kjo masë e pse i nevojitet Gjykatës Kushtetuese 25 ditë pezullim i punës së Kuvendit pas një kërkesë të Listës Serbe?

Gjykata Kushtetuese që në krye të herës ka mbajtur anë duke marrë këtë vendim sot. Ndalimi i punës së 120 deputetëve është në kundërshtim të plotë me funksionalizimin e një nga institucioneve më të rëndësishme të shtetit siç është Kuvendi.

Ky diktat i Gjykatës Kushtetuese që ka vendosur Kuvendin në pauzë pse Lista Serbe nuk mori votat e mjaftueshme për të pasur një Nënkryetar, po i çon në 112 ditët e pritjes së vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, prej 15 prillit kur dhe filloi procesi i konstituimit të Kuvendit.

Në tekstin prej 15 faqesh që Gjykata ka përgatitur për të përmbledhur faktet dhe arsyetimin e masës është paraqitur disa herë vlerësimi i ankuesve se atyre u takon ekskluziviteti i propozimit dhe zgjedhjes së Nënkryetarit. Kjo nuk është thënë as në Kushtetutë, kjo nuk është as fryma e organizimit të shtetit të Kosovës.

Çdo interpretim e aktgjykim që do të shkonte në këtë drejtim do të ngurtësonte të drejtën e vetos në konstituimin e Kuvendit nga Lista Serbe. Kjo parti, dhe asnjë parti që ka vende të rezervuara në Kuvend nuk duhet dhe nuk e ka të drejtën e vetos për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja VETËVENDOSJE!
5 shtator 2025

Related Posts