Komuna e Malishevës vazhdon të mbetet në gjendje emergjente si pasojë e vërshimeve të shkaktuara të martën, edhe pse situata aktuale në terren është e qetë dhe niveli i ujërave ka shënuar rënie.

Zëdhënësi i Komunës së Malishevës, Artan Paçarizi, ka deklaruar për Telegrafin se aktualisht vetëm një hyrje-dalje e qytetit po paraqet vështirësi në qarkullim.

“Gjendja është e qetë. Ka rënë niveli i ujërave. Aktualisht vetëm një hyrje-dalje e qytetit ka vështirësi në qarkullim, por jemi duke punuar me makineri të rëndë për hapjen e kanaleve kulluese. Bëhet fjalë për rrugën Malishevë–Banjë”, ka thënë Paçarizi.

Ai ka shtuar se pavarësisht përmirësimit të situatës, komuna do të vazhdojë të mbetet në gjendje emergjente, për shkak të dëmeve të shkaktuara dhe rrezikut nga reshjet e reja.

“Gjendje emergjente nga fatkeqësitë natyrore po. Pasi edhe pjesa e sanimit të dëmeve, por edhe mundësia e rifillimit të reshjeve, na bën të mbetemi në këtë gjendje emergjente”, theksoi ai.

Kujtojmë se Komuna e Malishevës dje ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, pas reshjeve të dendura të shiut që shkaktuan vërshime dhe dëme në disa zona.

Autoritetet komunale po vazhdojnë monitorimin e situatës dhe intervenimet në terren për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes.

Related Posts