Temperaturat e larta e pakujdesia e qytetarëve e kanë rritur numrin e zjarreve këtë vit për 15 për qind krahasuar me vitin e shkuar, ka thënë Abdusamed Shkodra, zëvendëskomandant i Brigadës së Zjarrfikësve të Prishtinës. 

Sipas Shkodrës, situatë më alarmante ishte të shtunën dhe në javën e parë të korrikut. Numri i intervenimeve në 6 muajt e parë të vitit ka shkuar në mbi 1000, e zjarrfikësit para vetes i kanë edhe dy muaj të nxehtë.

“Diku 1300 intervenime kanë ndodhur, por këto nuk janë vetëm zjarre të hapura, por përfshihen edhe zjarre në objekte, zjarre të hapura edhe intervenime teknike”, ka thënë Shkodra.

Drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, tha se ka indikacione që java e ardhshme do të jetë më e qetë për shkak të rënies së temperaturave. Shtoi se e shtuna ishte ditë shumë të ngjeshur sa u përket intervenimeve.

“Dita e djeshme, pra dhe mbrëmja ka qenë shumë e rëndë për kryeqytetin dhe njësitë e kryeqytetit, i kemi pasur 44 intervenime gjatë 24 orëve të fundit, disa kanë qenë më të komplikuara, që kanë kërkuar menaxhim më kompleks, kanë qenë të angazhuar 40 zjarrfikës”, ka deklaruar drejtori Fushtica.

Related Posts