Komuna e Mitrovicës, përmes Drejtorisë së Mirëqenies, ka realizuar një aksion humanitar për shpërndarjen e mbi 1,200 pakove ushqimore për familjet në nevojë, me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Sipas njoftimit të komunës, aksioni është realizuar në bashkëpunim me partnerë dhe donatorë, ndërsa përfitues kanë qenë familjet që marrin asistencë sociale dhe kategoritë më të cenueshme, me synim që asnjë familje të mos hyjë në Ramazan pa përkrahje.

Drejtori i Mirëqenies Sociale, Ramadan Beshiri, ka theksuar se shpërndarja e ndihmave është bërë edhe jashtë orarit të rregullt për familjet që nuk kanë pasur mundësi të lëvizin.

“Në raste të veçanta, ndihmat janë shpërndarë edhe në orët e vona për familjet që nuk kishin mundësi të lëvizin”, ka deklaruar Beshiri.

Komuna e Mitrovicës ka bërë të ditur se aksioni humanitar synon forcimin e solidaritetit dhe mbështetjen e familjeve në nevojë gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.

Related Posts