6 mijë e 41 është numri i shtetasve të Republikës së Kosovës që po qëndrojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë – me leje qëndrimi.
Ministria e Brendshme e Shqipërisë ka bërë të ditur se motivet e lejeve të qëndrimit janë nga ato për bashkim familjar, e deri tek ato për investim.
“Numri i shtetasve të Republikës së Kosovës të pajisur me leje qëndrimi në Republikën e Shqipërisë, sipas motiveve: leje qëndrimi me motiv bashkimin familjar – 2430; leje qëndrimi të përhershme – 116; me motiv studimin – 70; me motiv “Punëmarrës” – 1133; me motiv “Vetëpunësim/Investitor” – 228; të tjera – 2064” deklaron MB-ja shqiptare.
Nga ministria thonë se shtetasit e Kosovës, që janë me qëndrim të ligjshëm në territorin e Republikës së Shqipërisë, dhe që gëzojnë të drejtën e punësimit njëjtë si shtetasit shqiptarë, në përjashtim me rastet kur punësimi kërkon posaçërisht pasaportë shqiptare, nuk kanë nevojë për miratim për punësim nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive.
Për dallim nga rastet e evidentuara në Kosovë, në Shqipëri, përgjatë 2025-s, nuk ka pasur asnjë shtetas të Kosovës që është gjobitur për shkelje të rregullave të qëndrimit.
“Nga verifikimet me drejtoritë vendore për Kufirin dhe Migracionin për vitin 2025 nuk ka rezultuar që shtetas të Republikës së Kosovës të jenë gjobitur për shkelje të rregullave të qëndrimit në Republikën e Shqipërisë” deklaron Ministria.
Nga ky dikaster pohojnë se shtetasit e Republikës së Kosovës, kur aplikojnë për herë të parë dhe plotësojnë kriteret e përgjithshme, përfitojnë leje qëndrimi në afat prej 5 vjetësh.
Ndërkohë, të gjitha procedurat dhe kushtet për marrjen e lejes së qëndrimit të përkohshëm janë të lehtësuara duke u bazuar në marrëveshjen e përbashkët të dy qeverive Kosovë-Shqipëri.
























