Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Drenas ka shprehur shqetësimin e thellë pas publikimit të incizimeve ku, sipas tyre, dëshmohet për skandale të rënda të kryetarit të Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.
Në reagim thuhet se në incizimet e publikuara dëgjohen pazare jo për shuma të vogla, por për miliona euro, që lidhen me pasuritë publike dhe tokat komunale, të cilat, sipas PDK-së, janë trajtuar si mall privat për përfitime të shpejta.
Një nga pikat më shqetësuese që thekson PDK është çështja e mbi-ndërtimit në mbi 4 mijë metra katrorë pronë publike, ku, sipas tyre, Lladrovci jo vetëm që nuk e ka ndaluar këtë shkelje të ligjit, por e ka inkurajuar, duke e arsyetuar si “rritje të vlerës për interes publik”.
“E vërteta është krejt e kundërta vlera po u rritet vetëm xhepave të kryetarit të komunës dhe rrethit të tij të ngushtë, ndërsa prona e qytetarëve është shndërruar në valutë pazari”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Dega e PDK-së në Drenas ka kërkuar nga Prokuroria e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë që të hetojnë deri në fund këto abuzime. “Çdo ditë që kalon pa hetim është rrezik për qytetarët dhe një fyerje për drejtësinë”, thuhet në deklaratë.
PDK gjithashtu u ka bërë thirrje qytetarëve të Drenasit që të mos bien pre e propagandës e manipulimeve, duke theksuar se kjo nuk është vetëm një çështje politike, por një betejë për mbrojtjen e pronës publike, të drejtave të qytetarëve dhe të ardhmes së komunës.
























