Qeveria shqiptare shpalli sot vendimin për të mbyllur TikTok në territorin e republikës. Ky vendim shihet nga disa si përpjekje që ka dështuar në eksperimente të tjera, pasi aksesimi i tij gjithsesi mund të bëhet përmes vpn-ve. Ndërsa disa të tjerë e konsiderojnë Veprimit arbitrar i cili, ndërsa ka si synim ndalimin për të miturit, ua heq mundësinë edhe të rriturve për ta përdorur këtë rrjet social.
Sot u prezantua Plani i Ri i Veprimit, një nismë e rëndësishme e Ministrisë së Arsimit, në bashkëpunim me institucione dhe partnerë ndërkombëtarë, në përfundim të turit të konsultimeve me prindër, ku u realizuan 1300 konsultime me pjesëmarrjen e 65 mijë prindërve në të gjithë shkollat e vendit, për të adresuar dhe përmirësuar sigurinë në shkolla.
Ky plan synon të forcojë masat kundër dhunës, bullizmit, dhe kërcënimeve digjitale, duke ndërtuar një mjedis më të sigurt dhe më të shëndetshëm për fëmijët.
Ministrja Manastirliu tha se Plani i Veprimit ka katër drejtime kryesore dhe për hartimin e tij është bërë një konsultim i gjerë publik.
“Plani i Ri i Veprimit që prezantojmë sot është një iniciativë ambicioze që reflekton përgjegjësinë tonë të përbashkët si shtet, si institucione, si prindër dhe si qytetarë.
Në të kemi përfshirë gjetjet dhe rekomandimet nga konsultimet e kryera, rekomandimet e Këshillit Kombëtar të Prindërve, dhe ekspertiza e shoqërisë civile dhe ndërkombëtare, ka qenë një pjesë kyçe e hartimit të tij.
Përmes tij synojmë adresimin e çështjeve që lidhen me dhunën, bullizmin, sigurinë online dhe rritjen e mekanizmave të parandalimit, në funksion të sigurisë në shkolla dhe reduktimin, deri në eliminim, të fenomeneve të çdo forme dhune brenda shkollës.
Ky plan është ndërtuar mbi katër shtylla kryesore: siguria fizike dhe digjitale, rrjetet e mbështetjes psikosociale, edukimi dhe ndërgjegjësimi dhe koncepti i shkollës së hapur.”
Ministrja Manastirliu detajoi vendimet konkrete për përmirësimin e sigurisë në shkolla duke theksuar se përfshihet edhe bllokimi i platformës TikTok.
“Në një kohë kur sfidat teknologjike janë të pashmangshme, siguria fizike dhe digjitale është prioritet.
Për rritjen e kësaj sigurie kemi vendosur bllokimin e platformës TikTok, bazuar në një paketë instrumentesh që po punohet nga AKCESK dhe AKSHI.
Po ashtu, do të vendosim kamera inteligjente përmes projektit ‘Smart City’, duke siguruar një monitorim më efektiv brenda shkollave dhe perimetrit të tyre.
Në dy vitet e ardhshme do të dyfishojmë numrin e oficerëve të sigurisë, duke arritur në 500, dhe do të ngremë një strukturë të dedikuar brenda drejtorive arsimore për të koordinuar detyrat e oficerëve të sigurisë dhe bashkëpunimin me njësitë lokale të mbrojtjes së fëmijëve.”
Duke folur për rëndësinë e mbështetjes psikosociale, ministrja tha:
“Jemi të ndërgjegjshëm se tek nxënësit po rritet nevoja për mbështetje multidisiplinare, sidomos për sa i përket mbështetjes psiko-emocionale dhe adresimit të shqetësimeve të moshës. Për këtë arsye, kemi planifikuar shtimin e 350 punonjësve psikosocialë, duke arritur në 1,200 brenda dy viteve të ardhshme.
Bashkë me partnerët tanë të shoqërisë civile dhe institucioneve akademike, do të ngremë një Rrjet Kombëtar për Sigurinë Online, që do të ndihmojë në mbrojtjen digjitale të nxënësve.”
Ministrja Manastirliu nënvizoi rolin e edukimit dhe ndërgjegjësimit.
“Nuk mund të ketë siguri pa edukim. Miratimi i Kodit të Ri të Etikës për mësuesit, fuqizimi i Këshillave të Prindërve dhe organizimi i Kuvendeve Rajonale periodike janë hapa thelbësorë për të ndërtuar një front të përbashkët në edukimin e fëmijëve. Gjithashtu, përmirësimi i kurrikulave dhe teksteve të Edukimit Qytetar, Digjital dhe Ligjor do të ndihmojë në formimin e një brezi më të ndërgjegjësuar dhe më të përgjegjshëm”, tha Manastirliu.
Në përmbyllje, ministrja foli për konceptin e Shkollës së Hapur si një nga katër drejtimet e Planit të Ri të Veprimit.
“Një shkollë e hapur është një shkollë që shërben për komunitetin. Do të zgjerojmë programet ‘Shkolla Qendër Komunitare’ dhe ‘Ekipet Sportive në Shkolla’, duke përfshirë mbi 20,000 nxënës në aktivitete jashtëshkollore sportive. Nga viti 2025 do të pilotojmë shkollat verore në Tiranë, për të siguruar që fëmijët të kenë hapësira të sigurta edhe jashtë orarit mësimor.”
Manastirliu përfundoi duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me prindërit: “Ky plan nuk mund të jetë i suksesshëm pa ju, të dashur prindër. Ju jeni partnerët më të ngushtë të mësuesit dhe kontributi juaj është i pazëvendësueshëm për të ndërtuar shkolla të sigurta dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.”, deklaroi Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin./NOA