Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se më 16 shkurt ora e parë mësimore në të gjitha shkollat publike të Kryeqytetit do t’i kushtohet historikut, rolit dhe sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Njoftimin Rama e bëri përmes një postimi në Facebook, ku theksoi se si komunë e kanë obligim institucional dhe moral të kultivojnë te brezat e rinj respekt për historinë, sakrificën dhe idealet e vendit.
“Në prag të 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, në të gjitha shkollat publike të Kryeqytetit, ora e parë mësimore e datës 16 shkurt do t’i kushtohet historikut, rolit dhe sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Kujtesa historike është themel i identitetit dhe respektit për shtetësinë!”, ka shkruar ai.
Kjo kërkesë iu drejtua Ramës këtë të mërkurë nga asamblistët e Partisë Demokratike të Kosovës në Kryeqytet.






















