Me sa shihet LDK e zyrave i ka shpallë luftë rinisë së Kosovës dhe diaspores. Armiku i brendshëm dhe armiku i jashtëm…
Merreni me mend…
Vetedijësimin kolektiv të rinisë për urgjencën e ndryshimit e quan « shperlarje te trurit » ndersa interesimin e diaspores per ndryshim në Kosovë e quan « përzierje në punët e brendshme ». Aq n’hall janë sa edhe 20 vjeçarët e etur për shpresë i quajnë komunista, dhe aspiraten e tyre për jetë të dinjitetshme n’Kosovë e konsiderojnë si agjitacion të rrezikshëm.
Kjo ma kujton nje intervistë të Sinan Hasanit për demonstratat e vitit 1981, kur shefi komunist e quante rininë shqiptare si « nacionaliste te rrezikshme, qe ka synim prishjen e rehatisë bashkim-vllaznuese jugosllave ». Ne atë kohë edhe lideri i tashem aksidental i LDK-së ishte dakord me Sinanin dhe sot dalin dritonat e lutat dhe na alarmojnë për rrezikun e ngjyrës së kuqe, duke harru që ajo ngjyrë para se t’jete e komunizmit eshte ngjyra e shqiptarizmit.
Ç’të bëjmë tash? A t’i themi rinisë që modeli i qeverisjes grenelliane është e ardhmja apo t’i tregojmë që gjendemi ne moment historik per ndryshim dhe ne urgjencë absolute për shpetimin e Kosovës.
T’ia themi t’verteten. Cilën t’vertete?
Që qeveri pa legjitimitet s’guxojmë te kemi më. Që liderët aksidentalë s’duhet të ndiqen më. As liderët e bandave politike, as dhunuesit e shpresës…
T’i themi rinisë se është barrikada e fundit dhe më solidja për ndaljen e ciklit të zhbërjes. Thjesht, t’i themi rinisë se LDK është po aq gabim sa ishte Sinan Hasani ne vitin 1981 kur rininë e shihte si rrezik.
Rinia që e frikesonte Sinan Hasanin atehere ka mundesuar vetedijesim dhe ndryshim ne krahinen e Kosoves.
Rinia që e frikëson sot LDK-në duhet ta mundësojë ndryshimin historik dhe nisjen e ciklit të BËRJES se Kosovës shtet të fortë ne te cilin jetohet dhe jo vend i zymtë nga i cili iket.