FushëKosovë: Shkolla “Mihail Grameno” feston Ditën e Mësuesit me një program të veçantë
Sot, në ambientet e shkollës “Mihail Grameno” aneksi 3 në FushëKosovë, është festuar 7 Marsi, Dita e Mësuesit, me një program të larmishëm të përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle.
Në këtë festë të rëndësishme ishin të pranishëm prindër, mysafirë nga komuna dhe mësimdhënës, të cilët ndoqën me emocion performancat e fëmijëve. Programi artistik u karakterizua nga këngë dhe recitime patriotike, duke i kushtuar një vend të veçantë Epopesë së UÇK-së dhe familjes Jashari, duke dëshmuar edhe një herë ndjenjat atdhetare të komunitetit shkollor.
Në përfundim të aktivitetit, drejtori i shkollës ndau mirënjohje për prindërit që kanë kontribuar në mënyra të ndryshme për mbështetjen dhe zhvillimin e shkollës.
Ky organizim i veçantë tregoi edhe një herë se respekti dhe vlerësimi për figurën e mësuesit mbetet i rrënjosur thellë tek brezat e rinj dhe se edukimi vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të shoqërisë sonë. /Rilindja Shqiptare/