Ilir Meta është ish-Presidenti i parë në vend që bie në prangat e policisë. Prokurori i cili u mor me dosjen e tij është Sotir Kllapi. Ky i fundit nisi hetimet për çështjen e pasurisë së Metës dhe ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi që prej vitit 2022.
Asokohe, kishte dy kallëzime të bëra në SPAK për një pagesë të bërë për një lobim në Shtetet e Bashkuara nga Ilir Meta dhe partia që ai drejton, që dikur mbante emrin LSI.
Kush është Sotir Kllapi?
Sotir Kllapi ka mbaruar Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009. Fillimisht ka nisur punën si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Më pas ka ushtruar funksionin e prokurorit në Fier dhe Durrës deri në vitin 2014. Nga viti 2014 deri në vitin 2020, Sotir Kllapi ka drejtuar Prokurorinë e Pogradecit.
Ndaj Kllapit nuk është regjistruar asnjë masë disiplinore. Gjatë karrierës, prokurori është vlerësuar shumë mirë prej Prokurorisë Durrës për vitet 2012-2013, është vlerësuar shumë mirë nga prokuroria Progradec për vitet 2014, 2015 dhe 2016.
Në maj të vitit 2020, Kllapi u emërua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në SPAK, duke u vlerësuar me me 174 pikë, në krye të të gjithë kandidatëve, duke lënë pas Dritan Prençin, Vladimir Marën dhe Dorina Bejkon.
Procesi i vlerësimit të kandidaturave kanë marrë pjesë përfaqësues të SHBA-BE. Pas emërimit në SPAK, Kllapi ka marrë pjesë në disa trajnime me ekspertë nga SHBA dhe BE.
Prokurori Kllapi kaloi me sukses dhe me lehtësi procesin e Vetingut në maj të vitit 2019. Kllapi u konfirmua në detyrë më 13 maj të vitit 2019, duke u vlerësuar pozitivisht në kriterin e pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aftësive profesionale.