Zyrës së Prokurorit të Specializuar i është lejuar të zbulojë materiale shtesë, të cilat tashmë janë përfshirë përkohësisht në listën e provave që ajo ka dorëzuar së bashku me dosjen paraprake ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, lidhur me çështjen e pengimit të administrimit të drejtësisë.

Ky vendim është marrë më 17 tetor nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Marjorie Masselot, ndërsa kërkesa për autorizim ishte bërë në muajin shtator, duke kërkuar që Prokuroria të kishte mundësi të zbulojë disa materiale shtesë të kufizuara.

Në fillim të dhjetorit, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ngriti aktakuzë të re ndaj Thaçit dhe të tjerëve, duke i akuzuar ata për “përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.

Sipas akuzës, Thaçi “në periudhën 12 prill 2023 deri më 2 nëntor 2024, gjatë vizitave në paraburgim, u ka dhënë informacione konfidencial për dëshmitarët e Zyrës së Prokurorit të Specializuar Isni Kilajt, Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit”.

Në aktakuzë më tej pretendohet se “Thaçi bashkërendoi tri grupe të veçanta, të formuara me z. Smakaj, z. Fazliu dhe z. Kilaj, dhe persona të tjerë kundër të cilëve nuk janë ngritur akuza, si dhe me z. Kuçi, me synimin për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të ZPS-së në kontekstin e gjykimit aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët”.

Përveç Thaçit, aktakuzë është ngritur gjithashtu ndaj Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Të dyshuarit akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të pretenduara të luftës.

Hashim Thaçi, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat e ngritura nga Specialja.

Related Posts